Versioni i përpunuar i propozim-ligjit për Arsimin e Lartë, pasi kaloi edhe filtrin e dytë në sistemin elektronik “ENER”, ende është në procedurë qeveritare, konfirmoi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali. Sipas tij, janë bërë disa ndryshime për të qenë i përshtatshëm për gjithë.
“Ai indeksi, siç kemi parë reagime prej shumë profesorëve e hoqëm si kriteri bazik, por e lamë si kriter në bazë të konkurrencës së brendshme, kur të zgjidhet nëse ka dy tre kandidat, atë here merret parasysh ai indeksi, por mos të jetë kriteri bazik siç bie fjala 5-7 që ishte në versionet e para”, tha Bekim Sali – zëvendëskryeministër i parë.
Këto zëvendëskryeministri i tha në panelin e diskutimit të organizuar në Universitetin Nënë Tereza me temë “Konsolidimi institucional dhe legjislacioni i arsimit të lartë”. Rektori i UNT-së Bekim Fetaji tregoi se do të hapet diskutim mbi rëndësinë e statuteve të universiteteve, hartimin e tyre në të ardhmen, si dhe mbi çështje të tjera që lidhen me legjislacionin e arsimit të lartë.
“Universiteti “Nënë Tereza” edhe pse është institucion i ri, disi nënçmohet nga universitetet e tjera apo nga Ministria e Arsimit për kapacitet e veta dhe doja të ndërlidhesha se si do të bëhet rangimi në të ardhmen sepse ne si universitet me shumë profesorë në moshë që kanë ardhur nga universitet tjera me eksperiencë të madhe, për shkak të kufizimit të limiteve të buxhetit nuk mundësi të paguajnë punimet e veta që do të jetë një nga faktorët kryesorë, me të cilët do të rangohet pastaj universiteti”, u shpreh Bekim Fetai – Rektor i UNT-së.
Ankesa pati edhe për mungesë kuadrosh dhe për pagat e ulëta për ata që janë të angazhuar si të jashtëm.
