“Studentët nuk do të heshtin por do t’i kërkojnë të drejtat e tyre që janë të garantuara me kushtetutë” – kështu deklaruan organizatorët e protestës së studentëve ku edhe zyrtarisht paralajmëruan protestën e 8 majit në Shkup. Sipas tyre, ata po rikthehen aty ku edhe filluan.
“Para jush dhe live, shfrytëzojmë rastin ta paralajmërojmë edhe zyrtarisht protestën e 8 majit. Të hënën, nga ora 16:30, grumbullohemi te Ora e Gurit dhe më pas do të marshojmë. Po rikthehemi pikërisht nga universiteti ku filloi edhe protesta e parë dhe ku u paralajmërua protesta e parë. Nga ky universitet po e nisim edhe protestën e radhës dhe së bashku me studentët e tre universiteteve shqiptare — Universitetin “Nënë Tereza”, Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore — do të tregojmë se studentët nuk heshtin dhe se do t’i kërkojnë të drejtat tona, të garantuara me Kushtetutë dhe me ligj”, tha Besar Sulejmani nga Unioni i Studentëve.
Sipas njërit, nga iniciatorët e protestës, Mevlan Ademi, protesta fillimisht kishte të bënte me probleme teknike në procesin e studimeve, por më pas u zgjerua në kërkesë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ai bëri thirrje për unitet të shoqërisë civile, profesorëve, studentëve dhe faktorëve politikë, duke theksuar se gjuha shqipe duhet të bashkojë qytetarët.
“M esazhi fillimisht ishte i orientuar rreth një problemi teknik që kishte të bënte me përmirësimin e procesit të studimeve, por më pas u zbuluan shumë probleme të tjera dhe tani kjo është shndërruar në një protestë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut. Edhe unë mendoj që të gjitha shtresat e shoqërisë civile, profesorët, nxënësit, faktorët politikë dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë të bashkuar. Gjuha jonë duhet të na bashkojë e jo të na ndajë. Në fund të ditës, të gjithë të njëjtin hall e kemi”, u shpreh Mevlan Ademi – iniciator i protestës.
Në mbështetje të studenteve shqiptarë ka dalur edhe ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko për të cilin protesta interpretohet si një betejë për të ardhmen dhe jo vetëm një revoltë studentore. Ai e cilëson këtë situatë si kthim pas për të drejtat e shqiptarëve. Edhe Deputetja e PD, Jorida Tabaku, solidaritet me studentët shqiptarë sipas saj, mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike, por një çështje dinjiteti njerëzor. Ka reaguar edhe Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputet, Enver Hoxhaj, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe se zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga institucionet. Në mbështetje të studenteve kanë dalur edhe figura të tjera nga vendi dhe jashtë.
