Një tjetër zë nga Struga që zgjedh letërsinë për të shprehur atë që shpesh fjalët e zakonshme nuk mund ta thonë. Përmes vargjeve dhe fjalës së shkruar, autorja Alije Asllani sjell në letër ndjenja, mendime dhe përjetime që prekin shpirtin e lexuesit. Ajo thotë se ky nuk është thjesht një vëllim me poezi, por brenda vetës ka shpirt dhe peshë të rend emocionale.

“Ky vëllim nuk ka lindur vetvetiu ashtu vetëm për të krijuar një vëllim me poezi, vetë titulli mban një peshë të rëndë emocionale i kushtohet babit tim i cili fizikisht nuk jeton më dhe është prekës me një fjalë është një vëllim prekës dhe besoj që secili që do ta lexoj do të emocionohet”, tha Alije Asllani – autore.

Aktori dhe regjisori i njohur Xhevat Limani është ndër të parët që ka lexuar këtë vëllim me poezi të shkrimtares së re, ndërsa vlerësimi i tij rreth librit ishte se po e lexove të mbetet gjatë në kujtesë.

“Vargjet e Alije Asllanit njeriu kur i lexon me një frymë nuk kalojnë veç ashtu që të mos mbetet asgjë, por mbetet gjurmë dhe kjo është ajo që do të doja që këto poezi të lëne gjurmë dhe mbresa në mendjen time dhe unë uroj që Alije Arsllani të vazhdoj dhe t’i shtohen librat dhe poezia”, u shpreh Xhevat Limani – aktor dhe regjisor.

Të dy protagonistët e lartpërmendur dërguan mesazh tek të rinjtë duke sugjeruar që të rrinë sa më shumë afër librit dhe sa më larg rrjeteve sociale, sepse siç thanë edhe ata librin dhe erën e librit nuk e zëvendëson asgjë tjetër.