Të punësuarit e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” mbrëmë u mblodhën në sheshin e qytetit ku, përmes një kokteji, shënuan marrjen e pagave të prapambetura. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili rikujtoi se stabilizimi financiar i ndërmarrjes ishte një nga premtimet e tij kryesore. Kujtojmë se muaj më parë, komuna ndau 1 milion e 170 mijë euro nga buxheti i saj për të mbuluar pagat e punonjësve.
“Ka qenë një sfidë vërtet e madhe, për shkak se kjo ndërmarrje ndër vite ka qenë e ngulfatur në borxhe, duke marrë edhe linja të ndryshme kreditore të cilat është dashur t’i paguajë Komuna e Tetovës. Prandaj, ne kemi pasur një fokus të veçantë që ta stabilizojmë këtë ndërmarrje, që edhe këta punëtorë ashtu si punonjësit e Komunës së Tetovës dhe ndërmarrjeve të tjera t’i marrin rrogat në rregull, me kontribute të paguara, sigurim shëndetësor dhe të gjitha benefitet që u takojnë”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kënaqësinë për përmbushjen e obligimeve ndaj punonjësve e shprehu edhe drejtori i ndërmarrjes, Samet Bislimi.
“Që nga emërimi im si drejtor, qëllimi kryesor ka qenë që këta të punësuar të kenë paga dhe kontribute të rregullta. Sot mund të them lirisht se jam njeriu më i lumtur që e arritëm këtë objektive dhe i shoh punëtorët tanë të buzëqeshur”, u shpreh Samet Bislimi – drejtor i NPK “Tetova”,
Megjithatë, ky organizim ka nxitur reagimin e menjëhershëm të këshilltarëve të nismës “Më mirë për Tetovën”. Përmes një komunikate, ata kritikuan shfrytëzimin e punonjësve për promovim politik, duke theksuar se paga është meritë e punës së tyre dhe jo dhuratë nga pushtetmbajtësit.
“Punëtorët e NPK ‘Tetova’, të cilët paguhen nga paratë publike dhe i shërbejnë qytetit me dinjitet, nuk duhet të keqpërdoren si dekor për PR politik të pushtetit. Institucionet publike nuk janë pronë e askujt. Edhe më absurde është shfaqja e një pankarte gjigante me simbole të koalicionit VLEN dhe me mbishkrimin ‘FALEMINDERIT’, ku drejtuesit e pushtetit organizojnë ‘falënderime’ për veten e tyre”, thonë nga “Më Mirë për Tetovën”.
Për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë financiare, kreu i komunës Kasami bëri të ditur se po shqyrtohen mundësi të reja të hyrash për NPK-në. Ndër to është edhe propozimi që mjetet e grumbulluara nga gjobat për parkime të paligjshme në trotuare t’i kalojnë drejtpërdrejt kësaj ndërmarrjeje.
