Çështja etnike nuk është plan urbanistik për ta vënë në moratorium, por është çështje që duhet zgjidhur. Kështu opinionisti Qenan Aliu e komenton idenë e kryeministrit Hristijan Micksoki. Sipas Aliut, barazia etnike është shumë më e thellë dhe vendosja në moratorium vetëm se do t’i përkeqësonte marrëdhëniet ndëretnike.

“Shënimi i pavarësisë së vendit nuk është event në të cilën duhet të proklamohen moratorium. Aty sidomos duhet të theksohet se do të ketë veprim të qeverisë dhe organeve kompetente, sepse barazia e etnikumeve nuk është çështje që mund të vihet në moratorium. Të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat etnike janë çështje që evoluojnë me kohën dhe rrethanat që ndodhin në mbarë globin.
Andaj, çështjet etnike nuk është si një plan urbanistik për të vënë në moratorium, ata janë çështje të cilët duhet të zgjidhen”, deklaroi Qenan Aliu, ekspert.

Për të parandaluar përçarjet dhe konfliktet ndëretnike, Aliu thotë se qeveria duhet në vazhdimësi të bashkëpunojë me partnerin qeverisës dhe me opozitën.

“Pra, e kemi aksiomen e njohur, demokracia, qeverisja janë dialogim, kërkojnë dialogim në vazhdimësi nuk kanë nevojë ata për moratoriume. Vetëm dialogim, sidomos me partnerin qeveritar Vlen por edhe me opozitën, sepse një qeverisje që nuk kuabiton edhe me opozitën ajo mund të hasë ne ngërçe të zhvillimit dhe mbarëvajtjes të politikës qeveritare në vend”, tha Qenan Aliu, ekspert.

Kryeministri tanimë disa herë përsërit qëndrimin se duhet vendosur moratorium për temat etnike. Së fundmi ai deklaroi se duhet t’i jepet fund listës së gjatë të dëshirave për të drejtat etnike, pas së cilave, sipas tij nuk qëndron asgjë tjetër, përveç interesave personale të individëve të caktuar.

“Ne duhet të distancohemi nga konfliktet etnike dhe të izolojmë elementët që krijojnë përçarje ndëretnike. Ne duhet të vendosim një moratorium për temat e prodhuara etnikisht të nxitura nga interesat fitimprurëse të individëve. Duhet t’i jepet fund listës të gjatë të dëshirave për të drejtat etnike, pas së cilës realisht nuk qëndron asgjë, por interesi personal i atyre që i prodhojnë, në kurriz të kolektivit. Sa bosh tingëllon kur dikush kërkon dydhomësi e nuk ka ujë të pijshëm në Likovë dhe Tetovë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kryeministri Mickoski komentet i bëri në fjalimin e tij në manifestimin qendror për shënimin e 8 shtatorit, ditës së pavarësisë. /Alsat.mk