Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, në emisionin Click Plus, duke folur për procesin e rikonstruimit theksoi se qeveria po kryen riorganizime dhe ndryshime në pozita drejtuese bazuar në nevojat e institucioneve dhe jo për shkak të faktorëve politikë të jashtëm. Ai bëri të ditur se partnerët e koalicionit kanë nisur diskutimet për performancën e ministrave dhe ndarjen e resorëve, por pa zbuluar detaje konkrete.

“Nga partneri shqiptar në qeveri, veç e dini që në fillim kemi pasur situata ku dy pozicione do të duhen të riformatohen, kështu që nuk ndodhen me dy partive të tjera, pasi në start nuk kemi një pozit që nuk kemi zëvendësministër që duhet të definohet, dhe ministria qëp duhet të riformatohet. Pra ky është starti jonë si vlen dhe cdo herë nismemi nga nevoja imediate që duhet gjenden emra për të menaxhuar me këto institucione”, u shpreh Azir Aliu – ministër i Shëndetësisë.

Pavarësisht se iu lakua emri se pas rikonstruimit të Qeverisë do të udhëheqë me dikaster tjetër, Azir Aliu la të kuptohet se ai do të vazhdojë të jetë ministër i Shëndetësisë, pasi siç tha “në çdo dikaster ku ka rezultate do të duhet të vazhdohet për hir të institucioneve dhe proceseve që janë brenda”.

“Është pozitë që do të duhej të jemi pak më neutral dhe dhe t’ua lëmë politikave dhe institucioneve që të vendosin si mëtej. Është e rëndësishme që të ketë vazhdimësi, në çdo institucion jo vetëm në shëndetësi, për shkak të dinamikës së proceseve. Në shëndetësi, përveç ndryshimeve kërkohet edhe realizim në kohë pasi në shëndetësi edhe koha është shëndet”, potencoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Sipas Aliut rikonstruimi i Qeverisë tregon qartë se nuk planifikohen zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi siç theksoi, do të ishte e palogjikshme të investohej energji në ndryshime qeveritare nëse vendi do të shkonte shpejt në zgjedhje. Theksoi se partnerët e koalicionit në dy vitet e ardhshme e deri në zgjedhjet e rregullta, duhet të përqendrohen për të përfunduar proceset e hapura dhe për të adresuar sfidat ekonomike dhe kërkesat e qytetarëve. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme do të kufizonin ndjeshëm punën e Qeverisë për shkak të periudhës së qeverisë teknike dhe aktiviteteve parazgjedhore.