Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së përfaqësuesve të VLEN-it lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke vlerësuar se ata po nxjerrin në sipërfaqe paaftësi serioze dhe mosnjohje të Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Në reagimin e tij, Ademi ironizoi faktin që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut janë paraqitur me “0 publikime”, ndonëse, siç thekson ai, bëhet fjalë për organe përbërëse të pushtetit shtetëror, ku sipas ligjit gjuhë zyrtare është edhe shqipja.

Ademi rikujtoi se neni 1 paragrafët (2) dhe (3) të Ligjit për përdorimin e gjuhëve e përcaktojnë qartë statusin e shqipes, ndërsa neni 5 paragrafi (7) obligon që të gjitha aktet e miratuara nga Qeveria të lëshohen dhe publikohen si në maqedonisht, ashtu edhe në shqip.

Po ashtu, ai theksoi se neni 17 i po këtij ligji parasheh që të gjitha ligjet, aktet nënligjore, vendimet dhe shpalljet e institucioneve të pushtetit shtetëror, të botuara në Gazetën Zyrtare, duhet të publikohen në të dyja gjuhët zyrtare.

“Ose nuk i kuptoni të drejtat e fituara me Marrëveshjen e Ohrit, të përkthyera në Kushtetutë dhe në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ose nuk i doni të njëjtat dhe për pasojë bëni interpretime të paprecedenta të Kushtetutës dhe ligjeve”, shprehet Ademi.