Në Kosovë, autoritetet kanë arrestuar shtatë serbë në afërsi të Prishtinës, nën dyshimet për kërcënime, presion dhe shantazh ndaj vullnetit të lirë të votuesve në prag zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të muajit të ardhshëm. Këto arrestime ndodhën pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, akuzoi Listën Serbe për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë. Prokuroria, ndërkaq, tha se ka vepruar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mbi pretendimet e Rashiqit, i cili është lider i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”. I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe. Zyrtari i saj, Igor Simiq tha se janë arrestuar drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore, dhe se në këtë “më drejtpërdrejt ka marrë pjesë Nenad Rashiq, sepse ka targetuar serbët”. Ai vlerësoi se në këtë mënyrë po kryhet “integrim i dhunshëm” i institucioneve shëndetësore dhe arsimore. Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për serbët, ndërsa një mandat e fitoi partia e Rashiqit./Alsat.mk.
The post Arrestohen shtatë serbë në Kosovë, dyshohen për presion dhe shantazh ndaj votuesve para zgjedhjeve appeared first on Alsat.
