Në një operacion të koordinuar mes forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, policia ka arritur të vërë në pranga 42-vjeçarin me iniciale S.M., i cili dyshohet se kishte hyrë në vend me qëllimin e vetëm për të kryer krime të rënda, përfshirë edhe vrasje me pagesë. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuari është një anëtar i njohur i një grupi të organizuar kriminal, i cili kishte kaluar kufirin ilegalisht për të realizuar porosi të përgjakshme në llogari të strukturës kriminale ku bën pjesë.
Gjatë operacionit të ndërmarrë në Shkup, hetuesit kanë bastisur vendndodhjen ku strehohej i dyshuari, ku janë gjetur prova të forta që dëshmojnë për përgatitjen e një sulmi. Policia sekuestroi një pistoletë të tipit “CZ” bashkë me municionin përkatës, një uniformë taktike të zezë, një thikë ushtarake, si dhe një sasi lënde narkotike. Gjithashtu, personit në fjalë i është gjetur edhe një dokument identifikimi i huaj, i lëshuar nga autoritetet serbe.
Ky aksion nuk ka përfunduar vetëm me arrestimin e 42-vjeçarit, pasi forcat e rendit kanë prangosur edhe dy persona të tjerë, një shtetas serb dhe një maqedonas, të cilët dyshohet se kanë lidhje me rrjetin. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se ndërhyrja u realizua nën drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa gjatë kontrolleve në disa lokacione të ndryshme në kryeqytet u sekuestruan para, telefona celularë dhe lëndë narkotike.
Aktualisht, autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rastit përpara se të dorëzojnë kallëzimet penale përkatëse në gjykatë.
