I dyshuari për atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump në 15 shtator në Florida, ka lënë një letër disa muaj më parë, ku shprehej se synonte ta vriste ish presidentin dhe kishte mbajtur shënime dore mbi vendet ku pritej të ishte Trump dhe datat përkatëse, tha të hënën Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Këto të dhëna, u bënë publike gjatë seancës dëgjimore të ditës së sotme, për të përcaktuar masën e sigurisë. Departamenti i Drejtësisë kërkon që 58 vjeçari Ryan Wesley Routh të mbahet në burg gjatë hetimeve.

Hollësitë e reja mund të forcojnë pohimet e prokurorëve se i dyshuari Routh paraqet kërcënim për sigurinë publike, pasi kishte në plan të vriste Trump. Plani u pengua nga një agjent i Shërbimit Sekret i cili vuri re të armën e të dyshuarit, në shkurret në fushën e golfit në West Palm Beach të Floridas, ku po luante Trump.

Letra, ishte vendosur brenda një kutie që i ishte dërguar para disa muajsh një personi të paidentifikuar, i cili nuk e kishte hapur deri pas arrestimit të të dyshuarit të dielën.

Kutia përmbante po ashtu municione, një tub metalik dhe sende të tjera.

Personi që mori kutinë dhe u vu në kontakt me organet e zbatimit të ligjit nuk është identifikuar në dokumentin e bërë publik gjatë seancës dëgjimore.

Letra, që i drejtohej botës, me fjalët “e dashur botë”, duket se bazohej në hipotezën se përpjekja për ta vrarë ish-Presidentin do të dështonte.

“Kjo ishte një përpjekje për ta vrarë Donald Trumpin, por unë ju zhgënjeva. Bëra përpjekjet maksimale dhe përdora të gjithë energjitë e mia. U takon juve tani që ta mbaroni këtë punë dhe unë do të ofroj 150 mijë dollarë për këdo që e përfundon këtë punë”, shkruhet në letër, sipas prokurorëve.