Nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup thonë dhënë Urdhër për zhvillimin e një procedure hetimore kundër dy personave, babë e bir, të dyshuar për veprën penale “dhunë”, përcjell TV21. Shtojnë se për të njëjtin rast është hapur procedurë edhe kundër një të mituri, në përputhje me Ligjin për të Drejtat e Fëmijëve.

“Babai i moshës 41 vjeçe, së bashku me dy djemtë, njëri 18 vjeç dhe tjetri fëmijë 15-vjeçar, kanë shkuar para shtëpisë familjare të të dëmtuarit në fshatin Batincë dhe kanë filluar ta kërcënojnë atë për shkak të një përleshjeje paraprake që kishte pasur i dëmtuari me fëmijën. Në një moment, ata e kanë goditur me shqelma dhe grushte në kokë dhe në gjithë trupin, nga të cilat goditje i dëmtuari ka rënë në tokë. Ndërsa ishte i shtrirë, fëmija e ka goditur edhe me gur, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, fraktura dhe lëndime të tjera të rënda në kokë dhe trup. Gruaja e të dëmtuarit është hedhur mbi të për ta mbrojtur nga goditje të mëtejshme, ndërsa kanë ndërhyrë edhe fëmijët e tyre dhe fqinjët. Me veprimet e dhunshme, maltretimin, fyerjet e rënda dhe cenimin e sigurisë, të dyshuarit kanë shkaktuar ndjenjë pasigurie dhe frike te anëtarët e familjes së të dëmtuarit, si dhe në opinion”, thonë nga Prokuroria, duke shtuar se ndaj dy të rriturve, kanë kërkuar që gjykata të shqiptojë masën e paraburgimit.