Kriza e çmimeve është pjesë e së shkuarës thotë Banka e Shqipërisë, e cila pret që inflacioni mesatar i këtij viti të jetë 2.5%. Rënia e inflacionit në raport me vitet e kaluar ka ardhur si rezultat i uljes së çmimeve të mallrave në tregjet e huaja dhe zhvlerësimit të valutave.

“Goditja mbi çmimet dhe mbi inflacion që ne kemi përjetuar është diçka që tashmë i pret të shkuarës. Për pjesën e mbetur të këtij viti presim që inflacioni të mbetet në 2.5%, dhe në 2025-ën të arrijë në 3%”, tha Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare.

Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, thotë se ekonomia e vendit është në ditë të mira, dhe motori kryesor është turizmi.

“Ne konstatojmë një rritje ekonomike solide në nivelin 3.6% dhe në nivelet të tilla edhe në tremujorin e dytë. Kemi përmirësim të punësimit, por edhe rritje të pagave. Presim që kjo rritje të jetë në të njëjtën shifër deri në 2026-ën. Turizmi ka pasur një kontribut në gjysmën e parë të vit, duket që ky trend do të vazhdojë edhe për pjesën tjetër të 2024-ës”, pohon Themeli.

Nga ana tjetër biznese e qytetarë nuk e kanë ndalur kërkesën për kredi, kryesisht në lekë.

“Në këtë pjesë të parë të vitit kredia ka qenë e përqendruar për investime, por ka mbuluar nevojat e familjeve si për blerje banese, por edhe për kredi konsumatore. Kredia predominohet nga rritja e portofolit të kredisë në lekë, e cila aktualisht ka një rritje vjetore prej 20%, por ka një kontribut pozitiv edhe nga rritja e portofolit të kredisë në valutë”, tha Themeli.

Edhe në këtë raport të Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit, vihet theksi tek mungesa e fuqisë punëtore në vend, çka është reflektuar me ngadalësim të punësimit, edhe pse pagat vijojnë të rritet për të ruajtur stafet ekzistuese.