A do të paguajnë qytetarët këste më të larta për kreditë?! A do të shtrëngohet edhe një herë politika monetare tek ne?! Këto pyetje hapen pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane që për herë të dytë ta rrisë normën bazë të interesit për 0,25 pikë përqindjeje, në 2,5 për qind, në përpjekje për të kufizuar rritjen e inflacionit. Kjo do të thotë se rritet rreziku për kreditë me normë interesi të ndryshueshme të lidhur me EURIBOR-in, të cilat edhe tek ne mund të kenë këst mujor më të lartë gjatë harmonizimit të ardhshëm të normës së interesit.
“Qytetarët do ta ndiejnë më drejtpërdrejt efektin në kontekst të të gjithë atyre kredimarrësve ose huamarrësve të cilët kanë kontrata të lidhura me normë interesi variabile, ose të ndryshueshme. Kjo do të thotë se nëse EURIBOR-i rritet, këstet në periudhat e ardhshme të pritshme do të ishin më të mëdha sesa janë sot. Por, nga ana tjetër, nëse si kredimarrës keni lidhje me një institucion bankar me normë interesi fikse, kjo nuk do të ndikojë në mënyrën e ngarkesës financiare ose në rritjen e shpenzimeve”, tha Sinisha Naumoski – profesor universitar.
EURIBOR-i gjashtëmujor në fillim të vitit ishte 2,1 për qind, ndërsa tani tashmë ka arritur në 2,80 për qind. Rritja e EURIBOR-it tregon se tregu bankar evropian prej kohësh po e përfshin pritshmërinë për norma më të larta interesi. Sipas profesorit Naumoski, kjo politikë e BQE-së, dhe me këtë edhe e autoritetit monetar vendas, ndikon në formimin ose në politikën me të cilën bankat e formojnë ofertën e kredisë ndaj qytetarëve dhe ekonomisë. Sipas tij, tek kompanitë mund të pritet shtyrje e investimeve.
“Kur keni financim më të shtrenjtë, kjo automatikisht nënkupton shtyrje të investimit dhe ndoshta përmbajtje më të madhe të kompanive në periudhën që vjen. Gjithashtu, në mënyrë të pritshme mund të jetë që, me një politikë të tillë të ashpërsuar restriktive të Bankës Qendrore Evropiane, e cila drejtpërdrejt në një mënyrë mund të bartet edhe në politikën monetare të Maqedonisë, mund të kemi edhe ulje të investimeve të huaja, gjë që ndoshta nuk është rasti”, u shpreh profesori Sinisha Naumoski.
Naumoski thotë se pret që Banka Popullore t’i analizojë zhvillimet tek ne, por sipas tij, me këtë vendim të Bankës Qendrore Evropiane zvogëlohen pritshmëritë që deri në fund të këtij viti dhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të kemi ulje të normës së interesit të bonove të thesarit të Bankës Popullore. Ndryshe, banka qendrore në qershor, pas vendimit të BQE-së, e rriti normën bazë të interesit tek ne për 0,25 pikë përqindjeje dhe ajo tani është 4,25%.
