BDI ka reaguar ndaj tabelave hyrëse të vendosura nga Qyteti i Shkupit, duke akuzuar autoritetet se, edhe pas korrigjimit të fotografive pas reagimeve të opinionit, kanë lënë jashtë gjuhën shqipe.
Në një reagim për media, BDI thekson se ndërhyrja në përmbajtjen vizuale të tabelave dëshmon se ka pasur mundësi për korrigjim të menjëhershëm, por se mungesa e gjuhës shqipe ka mbetur e pandryshuar.
Sipas partisë, kjo paraqet një vendim të vetëdijshëm për të injoruar gjuhën shqipe dhe karakterin shumëetnik të kryeqytetit.
“Në një qytet dygjuhësh, përjashtimi i gjuhës shqipe nga mbishkrimet zyrtare përbën provokim të rëndë politik dhe institucional, si dhe shkelje të ligjit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI kërkon korrigjimin e menjëhershëm të tabelave dhe vendosjen e gjuhës shqipe në përputhje me dispozitat ligjore dhe realitetin shumëetnik të Shkupit.
BDI paralajmëron se, nëse nuk respektohet ligji, do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore, institucionale dhe demokratike për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe, siç thuhet në reagim, të dinjitetit të shqiptarëve.
Sipas BDI-së, përgjegjësia politike për këtë model të vazhdueshëm të injorimit të shqiptarëve bie mbi VLEN-in, të cilët me vasalitetin e tyre kanë krijuar bindjen se interesat dhe të drejtat e shqiptarëve mund të shkelen pa asnjë pasojë.
The post BDI ka reaguar ndaj tabelave hyrëse të vendosura nga Qyteti i Shkupit appeared first on Alsat.
