Bashkimi Demokratik për Integrim bën të ditur nga shtatori se do të dalë në terren, pasi drafti i Pol Uilliamsit, i cili u angazhua nga BDI për të gjetur një zgjidhje për respektimin e legjitimitetit, u shqyrtua dje në Kryesinë Qendrore në Reçicë të Vogël. Këtë e tha për TV21, nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, i cili tha se për 13 gusht planifikojnë një manifestim qendror dhe nga shtatori do të kenë aktivitete në terren, pas saktësuar se për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë dhe nëse janë këto protestat që janë paralajmëruar kohë më parë.

“Drafti u shqyrtua, u analizuan dhe u komentuan propozim-idetë e draftit. Po i bëjmë konsultat finale dhe komentet lidhur me propozimi. Kemi shqyrtuar draftin e parë të platformës mbi legjitimitetin te përgatitur nga Paul Williams si dhe ide të tjera nga ekspertë vendorë dhe anëtarët e Kryesisë Qendrore. Debati mbi këtë çështje kaq te rëndësishme vijon për arsye të seriozitetit të rregullimit të çështjes së legjitimitetit. Kemi vendos që më 13 gusht të mbajmë manifestimin qendror. Gjithashtu u vendos që nga shtatori, BDI me të gjitha kapacitetet e veta të dalë në terren, që nga Struga deri në Sopot”, tha Arbër Ademi nga BDI.

Nga koalicioni VLEN thonë se partia e Ahmetit bën ç’mos për të mbrojtur anëtarët e saj të përfshirë në krim.

“BDI vepron si organizatë kriminele që për të mbrojtur ish zyrtarët e saj të korruptuar mendon në mënyrë destruktive. Shqiptarët nuk do të lejojnë që kjo kryesi e kriminalizuar e BDI-së t’i nënvlerësojë. Ata e dinë se Ahmeti, Grubi, Osmani, Merko, Bekteshi dhe kompania e tyre nuk kujdesen për Marrëveshjen e Ohrit, por kujdesen vetëm për kapitalin e tyre të përfituar ilegalisht”, deklaroi Fari Iseni, zëdhënës i VLEN.

Nga VMRO-DPMNE duke i komentuar kërkesat e BDI-së për zbatimin e Vetingut të të gjithë politikanëve në 30 vitet e fundit, thonë se bëhet fjalë vetëm për manovër politike për t’i ikur përgjegjësisë.

“Kjo është një manovër e BDI-së dhe LDS-së që çdo procedurë që do të hapej ndaj një anëtari të kryesisë së tyre, ta paraqesin si përplasje partiake dhe t’i bindin njerëzit, simpatizantët e tyre, të protestojnë sepse gjoja janë duke u shtypur. Prandaj, në vend të lojërave të tilla fëmijërore që kaluan te shërbëtorët tyre të LSD-së, ne themi se ky vend ka ligje për gjithçka, për vetingun, për origjinën e pronës, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare për pastrim parash dhe tregtim me ndikim”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE.

Përndryshe, sa i përket kërkesës për zbatim të, siç thotë BDI-ja, vetingut të monitoruar ndërkombëtarisht është një politikë e integristëve për të cilën ata kanë insistuar edhe më parë. Nëpërmjet këtij vetingu ata kërkojnë që të kalojnë të gjithë politikanët e 30 viteve të kaluara, gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe pjesëmarrësit në procesin e privatizimit që u realizua pas pavarësimit të shtetit.