Zgjerim të masave sanksionuese ndaj Kosovës kanë paralajmëruar zyrtarë të Bashkimit Evropian, nëse qeveria e Kosovës nuk i ndal, siç kanë thënë, “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” në veri. Edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit kanë shprehur shqetësim për situatën në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë, dhe kanë thënë se lidershipi aktual po i vë në rrezik mundësitë për të cilat SHBA-ja e ka ndihmuar Kosovën.

Bashkimi Evropian do ta konsiderojë mundësinë e shtimit të sanksioneve ndaj Kosovës nëse Qeveria vazhdon me veprime të njëanshme e të pakoordinuara në veriun e banuar kryesisht me serbë, kanë paralajmëruar zyrtarë në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tek përmendi masat që vazhdojnë të mbesin në fuqi, tha se qeveria e Kosovës së fundi i shumëfishoi veprimet e njëanshme.

“Masat u vendosën qershorin e vitit të kaluar për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit, janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm nga këta njerëz që çojnë në përshkallëzim. Masat janë ende në fuqi dhe ne e kemi thënë atëherë se këto masa janë progresive, ato mund të zgjaten apo të hiqen varësisht prej zhvillimeve të situatës. Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse të gjithë akterët e Bashkimit Evropian pajtohen se ato duhet të shtohen”, tha Stano.

Stano ka shprehur shpresën se Qeveria e Kosovës ta marrë mesazhin në mënyrë që ta ndalojë BE-në nga shtimi i masave.

“Ua kemi bërë të qartë qëndrimin tonë Kosovës, në shumë nivele, në shumë mënyra dhe përmes shumë partnerëve. Nuk është vetëm BE-ja. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë Qeverisë në Prishtinë që të mos angazhohet në këto seri hapash të pakoordinuar, negativë dhe të njëanshëm. Shpresojmë se më në fund do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalojnë të marrim në konsideratë se çfarë masa do të konsiderojmë të marrim nëse situata nuk ndryshon”, tha Stano.

Shqetësim pas mbylljes së zyrave postare serbe në veri dhe paralajmërimit të qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kanë shprehur edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Zëdhënësi Mathew Miller ia ka shtuar kësaj edhe një kërcënim.

“Besojmë se ata kanë vënë në rrezik mundësitë, të cilat ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni ngjarjet që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtarë si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderë të njëpasnjëshëm lidhur me veprimet që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën është pajtuar. Ajo që e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës të bëjë është që të rikthehet në bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. E kemi bërë këtë të qartë, ia kemi bërë të qartë Qeverisë edhe privatisht”, tha Miller.

Të hënën u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht. Ndërkaq kompania e kontraktuar nga qeveria sot kreu testime për qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit, veprim që zyrtarë të Qeverisë thanë se i paraprin hapjes së saj.