Në dyvjetorin e qeverisë, BDI akuzoi VLEN-in se ka hyrë në pushtet pa legjitimitet te shqiptarët dhe se ka dëmtuar përfaqësimin politik shqiptar. Sipas partisë, VLEN ka heshtur ndaj uljes së përqindjes së shqiptarëve, ndalimit të përdorimit të flamurit shqiptar dhe delegimit të çështjeve të Marrëveshjes së Ohrit te partnerët qeveritarë. BDI e akuzon gjithashtu për mosreagim ndaj shfuqizimit të balancuesit, përpjekjeve për cenimin e statusit të gjuhës shqipe dhe përjashtimit të diasporës nga përllogaritjet për përfaqësim. Sipas saj, heqja e emrave me simbolikë kombëtare shqiptare nga hapësira publike përbën goditjen më të fundit ndaj të arriturave të shqiptarëve.
“Përballë gjithë këtyre zhvillimeve, VLEN vazhdon të sillet si spektator, i kënaqur me privilegjet e pushtetit dhe pa asnjë vullnet për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. Në vend që të ngritin zërin kundër këtyre politikave, përfaqësuesit e VLEN-it vazhdojnë të marrin urdhra politikë nga partnerët e tyre qeveritarë dhe të justifikojnë çdo vendim që cenon të drejtat e shqiptarëve. Pas dy vitesh qeverisje pa legjitimitet etnik, bilanci është i qartë: shqiptarët janë më të margjinalizuar, Marrëveshja e Ohrit është më e rrezikuar, ndërsa shumë pr ej të arriturave të ndërtuara me mund gjatë 24 viteve të fundit po zhbëhen njëra pas tjetrës”, tha BDI.
U kundërpërgjigj partia në pushtet VLEN, duke thënë se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e BDI-së, por sakrificë e një gjenerate të tërë, por që sipas VLEN-it, BDI e degradoi në dekor për pushtet, tenderë, privilegje klanore dhe pasurim personal.
“Sa do që është e dhimbshme, e vërteta e tyre është kjo: Sopoti, enciklopedia, Shkupi 2014, Monstra, djegia e dyqaneve shqiptare, rrahja e fëmijëve shqiptarë nëpër autobusë, përgjimet masive, lagjja e trimave, kazinotë dhe lojërat e fatit, Almiri i vogël, “Durmo turs”, “Besa trans”, spitali modular, arratisjet nga drejtësia, ndihmesa për ta arratisur Nikolla Gruevskin, tentimi për ta kthyer, shpëtimi i Sasho Mijallkovit përmes Artanit Grubit e Enver Bexhetit e shumë e shumë hajni e manipulime”, tha VLEN.
Nga VLEN përfundojnë duke thënë se nuk ka parti politike që më shumë e ka dëmtuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit sesa vetë BDI, gjersa integristët zotohen se do të vazhdojnë të mbrojë pa kompromis të drejtat kolektive të shqiptarëve, frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe karakterin multietnik të shtetit, duke mos lejuar që sakrifica dhe të arriturat e një çerek shekulli të shkatërrohen për interesa të ngushta politike.
