“Sot, në Ditën e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që mban në vete historinë, sakrificën dhe krenarinë tonë kombëtare, patëm nderin të promovojmë One Stop Shop në pikën kufitare të Qafë Thanës, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Është simbolike që pikërisht në këtë ditë historike, kur kujtojmë ata që u bashkuan për t’i dhënë gjuhës shqipe alfabetin e saj të njësuar, ne bëjmë një hap konkret për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe për të afruar edhe më shumë njerëzit tanë.

22 Nëntori na kujton se bashkimi, gjuha dhe identiteti janë vlera që na lidhin ndër breza. Ndërsa projekte si One Stop Shop dëshmojnë se këto lidhje mund t’i kthejmë edhe në bashkëpunim konkret, në më pak pritje, më pak burokraci dhe më shumë lehtësi për qytetarët.
Sepse historia na ka mësuar sa shumë kemi sakrifikuar për të qenë bashkë, ndërsa përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mundësi më të mira për brezat që vijnë.” ka shkruar Bekim Sali