Bërvenica është një nga shembujt më të qartë se sa e fragmentuar mbetet vota shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në zgjedhjet e fundit lokale, përçarja e votës shqiptare dhe mungesa e një kandidature të përbashkët i mundësuan kandidatit maqedonas Jovica Ilievski ta fitojë komunën me vetëm 145 vota diferencë, shkruan FaktiDitor.info
Më 18 tetor, Bërvenica do t’u rikthehet zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune, pas vdekjes së Ilievskit. Edhe kësaj here, gara duket se po zhvillohet mbi të njëjtat ndarje politike. Subjektet kryesore shqiptare, VLEN dhe BDI, kanë nxjerrë kandidatë të veçantë, duke e rikthyer dilemën nëse vota shqiptare do të fragmentohet sërish. Kjo është pikërisht pika ku Bërvenica merr një rëndësi më të madhe se dimensioni i saj lokal. Në një komunë me shumicë shqiptare, ndarja e votës mund të përcaktojë sërish rezultatin e zgjedhjeve. Pyetja nuk është vetëm kush do ta fitojë komunën, por nëse subjektet shqiptare kanë nxjerrë mësime nga rezultati i vitit të kaluar.
A do të përsëritet e njëjta situatë? A rrezikojnë shqiptarët ta humbin përsëri Bërvenicën për shkak të përçarjes politike?
Bërvenica është e vogël si komunë, por e madhe si test politik. Rezultati i saj do të tregojë nëse historia e vitit të kaluar do të përsëritet apo nëse subjektet shqiptare do të arrijnë të ndryshojnë qasjen e tyre./FaktiDitor.info
