Gazetar: Zekirija Haxhiu
Nëse në kryeqytet qytetarët kanë ndezur koftorët dhe ngrohjet qendrore për shkak motit të ftohtë, banorët e Bllacës u zgjuan me pamje krejtësisht ndryshe. Fillimi i tetorit Bllacën e gjeti tërësisht të zbardhur nga bora.
“Nëse realisht ndodhemi në fillim të tetorit dhe në fillim të vjeshtës, në fshatin Bllacë atmosfera është krejtësisht ndryshe. Këtu atmosfera është sikur të jemi në dimër apo në janar mund të themi. Temperaturat janë të ulëta ndërsa bora ka mbuluar tërë fshatin”, raporton Zekirija Haxhiu – Gazetar.
Për banorët e Bllacës bora ishte befasi.
“Edhe koha është bërë sipas njerëzve…Tash është bërë ftohtë e nxehtë, nuk dihet kur bie borë, kur bie shi, kur është pranverë, kur është verë, sipas njerëzve!”, u shpreh një banor i Bllacës.
“Ne nuk jemi mësuar, sa e mbaj mend unë, kjo asnjëherë nuk ka ndodhur. Në muajin tetor, në fillim të tetorit të bie kaq borë. Jo jo kurrë! … Ndoshta është mirësi e Zotit. Çdo gjë që vjen prej Zotit pritet mirë se prej Zotit të këqija nuk vijnë!”, tha një tjetër banor i Bllacës.
“Zoti krejt i bën! Edhe në verë e bën. E bën borë? Po, verën e bën dimër! A ka pasur më herët në Bllacë kështu borë? Kështu në këtë kohë jo! Në pranverë po kurse në vjeshtë jo. Do të thotë nuk jeni mësuar kështu të bie borë në vjeshtë? Jo jo, jo”, u shpreh një banor.
Përpos Bllacës bora kishte edhe në pjesët e tjera malore të Shkupit sikurse në Vodno, Malin e Zi të Shkupit por dhe pjesën e Karadakut. Nga nesër pritet rritje graduale e temperaturave, që javën tjetër të arrijnë deri në 20 gradë celsius. /Alsat.mk
The post Bora në fillim të tetorit befasoi shumë zona malore, fshati Bllacë u zbardh tërësish appeared first on Alsat.