Ekonomia maqedonase është e katërt në Europë, siguron kryeministri Hristijan Mickoski, pasi Enti i statistikës publikoi se rritja e BPV për tremujorin e parë të vitit është 3%, përcjell TV21. Kryeministri shton se ndryshimi shihet çdo ditë dhe se kjo është rezultat i reformave, përmirësimit të produktivitetit dhe punësimeve. Mickoski thotë se rriten investimet e huaja dhe se stabilizohet prodhimi industrial. Sipas tij, këta numra nuk janë të mjaftueshëm dhe se Qeveria në të ardhmen do të punojë për të arritur rritje prej 4%. Megjithatë ka sinjale se ekonomia lëviz përpara dhe një tregues i tillë është krijimi i 10 mijë vendeve të reja të punës në dy tremujoret e para.
“Sipas të dhënave preliminare të Entit të statistikës, në tremujorin e parë të 2025, rritja reale e BPV pasi u zgjodh kjo qeveri, tremujori i tretë me radhë është me 3% ose më shumë, ndërsa rritja e përshtatur sipas të dhënave sezonale dhe kalendarike është 3,2%, ky është numri që e ka publikuar Eurostat. Me këtë, në fakt sipas parametrave të publikuara deri më tani nga Eurostat, ekonomia maqedonase është renditur në vendin e katërt, menjëherë pas Irlandës, Danimarkës dhe Polonisë”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër .
