
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një konferencë për shtyp premtoi masa urgjente për zgjidhjen e problemit me ndërtimet pa leje, duke theksuar se qytetarët e mashtruar nuk do të mbeten viktima të mafias urbane. Ai sqaroi se shtabi i krizës, i cili do të formohet posaçërisht për këtë qëllim, do të merret me identifikimin e ndërtimeve pa leje dhe kontrollin e detajuar të tyre, për të vlerësuar nëse plotësojnë standardet për banim të sigurt.
“Prioritet është testimi i stabilitetit strukturor të atyre ndërtesave, sepse informacionet tona tregojnë se, duke u nxituar për të përfunduar procedurat, nuk janë respektuar rregullat e statikës, dinamikës, mekanikës, lidhjes në rrjetin elektrik dhe qasjes në ujë. Këto objekte janë të paqëndrueshme. Vlerësimet e disa arkitektëve tregojnë se edhe një tërmet me fuqi shumë më të vogël mund t’i shembë. Nuk janë marrë masa as për mbrojtje nga zjarri”, tha Osmani.
Ai theksoi se për shkak të shkeljes së parimeve të ndërtimit, familjet që jetojnë në këto ndërtesa përballen me një makth të vërtetë çdo ditë.
“Pata mundësi të takohem me disa familje nga njëra prej ndërtesave në Seravë, e cila është një karikaturë e vërtetë dhe një njollë e zezë e menaxhimit të Komunës gjatë 20 viteve të fundit. Rrëfimet e tyre janë tronditëse. Janë mashtruar me një paraqitje krejt tjetër të ndërtesës, lartësia e objekteve u është prezantuar ndryshe. Sot ata jetojnë aty pa asnjë dokument, megjithëse kanë shpenzuar gjithë kursimet e jetës. Banesat e tyre janë rishitur deri dhjetë herë. Ata ngjiten deri në katin e dhjetë pa ashensor, sepse nuk është ndërtuar. Hapësirat publike dhe korridoret u janë shitur për qëllime komerciale. Dhe e gjithë kjo është mundësuar në vitin 2011, kur kundërkandidati im ka qenë në funksion për dhënien e lejeve”, tha Osmani.
Pas kontrolleve, siç sqaroi ai, nëse ndërtesat e kalojnë testin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit, do të punohet për gjetjen e mënyrave për legalizimin e tyre, në mënyrë që qytetarët të marrin dokumentet e nevojshme dhe të mund të jetojnë të qetë. “Kjo është e para. E dyta, mënyra se si janë marrë këto vendime dhe si janë legalizuar në mënyrë joligjore është çështje për Prokurorinë Publike, e cila do ta hetojë atë. Por, ne menjëherë do të bëjmë një revizion të të gjitha çështjeve dhe të gjithë dokumentacionit në sektorin e urbanizmit”, theksoi Osmani.