Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kandidati favorit për t’i fituar zgjedhjet e sotme parlamentare në Bullgari, Rumen Radev pasi e shfrytëzoi të drejtën e votës kërkoi nga Maqedonia e Veriut si vend fqinj, që të respektojë Marrëveshjen e vitit 2022, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Pres nga vëllezërit tanë nga RMV të përmbushin marrëveshjen e arritur në vitin 2022 i miratuar unanimisht para Këshillit Evropian, të regjistrojnë bullgarët në Kushtetutën e tyre. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të ndodhë”, deklaroi Rumen Radev – Bullgaria Progresive.
Radev premtoi se do të angazhohet për një Bullgari demokratike, moderne dhe evropiane por nga ana tjetër nuk e hedhë poshtë as dëshirën për bashkëpunim me Rusinë
“Shpresojmë se do të zhvillojmë marrëdhënie të mira me Rusinë, të bazuara në respekt të ndërsjellë. Duhet të respektojmë historinë tonë pasi ju e dini rolin e Rusisë në çlirimin e Bullgarisë. Kjo është e rëndësishme dhe natyrisht nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Rumen Radev – Bullgaria Progresive.
Për dallim nga Radev, kandidati tjetër nga GERB, Bojko Borisov thotë se Bullgaria do të zhvillohet me mentalitet evropian.
“Dua të ri konfirmoj edhe një herë qëndrimin tonë të fortë evropian, për Ukrainën, për Partinë Popullore Evropiane, për Komisionin Evropian dhe për Parlamentin Evropian — për një Evropë të fortë dhe një Bullgari të fortë në një Evropë të fortë. Ky është GERB”, theksoi Bojko Borisov – GERB.
Zgjedhjet e parakohshme vijnë pas dorëheqjes së një qeverie të udhëhequr nga konservatorët, mes protestave mbarëkombëtare në dhjetorin e kaluar që nxorën në rrugë qindra mijëra njerëz, kryesisht të rinj./Alsat.mk.
The post Bullgari: Zgjedhje parlamentare, përballje mes Radevit dhe Borisovit, mesazhe edhe për Maqedoninë e Veriut appeared first on Alsat.
