Tetë persona janë dënuar me burg pas sulmit të Usman Nurmagomedovit ndaj Merab Dvalishvilit në një hotel në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rrahja mes luftëtarëve të njohur ka bërë bujë të pabesueshme, ndërsa ndodhi pasi Nurmagomedovi e sulmoi Merabin. Merab Dvalishvili dhe shoku i tij, Saba Lazishvili janë përleshur me një grup dukshëm më të madh të Nurmagomedovit.
Të gjithë të përfshirët u ndaluan nga autoritetet. Gjashtë prej tyre, identiteti i të cilëve nuk u bë i ditur, u dënuan me gjashtë muaj burgim për prishje të sigurisë publike, shkaktim paniku dhe rrezikim të jetës.
Përveç kësaj, secili prej tyre u gjobit me 80 mijë dollarë dhe të gjithë do të dëbohen nga Emiratet pasi të kryejnë dënimin, shkruan “mmafighting.com”.
Dy personat që filmuan përleshjen u dënuan po ashtu me gjashtë muaj burgim dhe me gjobë.
Dvalishvili është liruar nga paraburgimi, u njoftua të premten.
