Takimi i Liderëve Ekonomikë të APEC-ut 2026, që do të zhvillohet më 18 dhe 19 nëntor në Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore, do të furnizohet plotësisht me energji elektrike të gjelbër. Të gjitha mjediset dhe objektet përkatëse do të sigurojnë furnizim 100 % me energji të gjelbër, njoftoi të premten Kompania e Rrjetit Elektrik të Kinës Jugore (CSG).
Sipas kompanisë, të gjitha përgatitjet për garantimin e furnizimit me energji elektrike gjatë aktivitetit kanë përfunduar.
Foto nga VCG
CSG ka siguruar paraprakisht 89 milionë kilovatorë energji elektrike të gjelbër, për të garantuar që e gjithë energjia e konsumuar gjatë aktivitetit të mbulohet nga burime të gjelbra. Çdo njësi e energjisë elektrike të përdorur në mjediset e takimit në Shenzhen do të ketë një burim të gjurmueshëm.
Sipas Shen Sai, përgjegjës për zhvillimin dhe menaxhimin e përgjithshëm në departamentin e marketingut dhe shërbimit ndaj klientit të Zyrës së Furnizimit me Energji Elektrike të Shenzhen-it, pranë CSG-së, energjia e gjelbër do të vijë nga dy burime kryesore.
Foto nga VCG
Një pjesë do të sigurohet nga parqet eolike detare në Yangjiang të provincës Guangdong, ndërsa pjesa tjetër nga bazat e prodhimit të energjisë së erës dhe asaj diellore në shkretëtirat, zonat e Gobit dhe tokat djerrë të Kinës Veriperëndimore. Energjia elektrike do të transmetohet në distanca të gjata përmes rrjeteve të transmetimit ndërprovincial e ndërrajonal deri në mjediset ku do të zhvillohet takimi.
