Shalqiri është i ëmbël dhe përmban sheqerna natyrale, por kjo nuk do të thotë se duhet ta shmangim për të mbajtur nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak, ka shkruar EatingWell.
Shalqiri përmban karbohidrate dhe natyrisht mund ta rrisë nivelin e sheqerit në gjak. Megjithatë, ai përbëhet nga rreth 91 për qind ujë dhe një porcion normal mund të jetë pjesë e një ushqyerjeje të ekuilibruar.
A e rrit shalqiri sheqerin në gjak?
Po. Një filxhan me shalqi të prerë në kubikë përmban rreth 12 gramë karbohidrate dhe 9 gramë sheqerna natyrale.
Megjithatë, shalqiri ka ngarkesë të ulët glikemike. Kjo do të thotë se ani pse indeksi i tij glikemik është relativisht i lartë, sasia e karbohidrateve në një porcion normal është e ulët dhe zakonisht nuk shkakton rritje të madhe të sheqerit në gjak.
“Fibrat dhe përmbajtja e lartë e ujit ndihmojnë në ngadalësimin e tretjes dhe mund të mbështesin një rritje më graduale të sheqerit në gjak”, ka thënë dietologia Caroline Thomason.
Shalqiri është i pasur me likopen, një antioksidant që mund të ketë përfitime për shëndetin metabolik. Disa studime kanë lidhur marrjen më të lartë të likopenit me nivele më të ulëta të sheqerit në gjak dhe me kontroll më të mirë të diabetit të tipit 2.
Megjithatë, këto të dhëna nuk do të thonë se shalqiri është trajtim për diabetin.
Me mbi 90 për qind ujë, shalqiri është zgjedhje e mirë për hidratim, sidomos gjatë ditëve të nxehta. Hidratimi i mirë është gjithashtu i rëndësishëm për ruajtjen e niveleve të shëndetshme të sheqerit në gjak.
Si ta hani shalqirin pa shkaktuar rritje të madhe të sheqerit?
Kombinojeni me proteina. Në vend që ta hani vetëm, shoqërojeni me kos grek, arra ose gjizë. Proteinat, yndyrat e shëndetshme dhe fibrat mund të ndihmojnë në ngadalësimin e rritjes së sheqerit në gjak.
Shalqiri mund të jetë edhe një ëmbëlsirë e freskët pas një vakti që përmban proteina, fibra dhe yndyra të shëndetshme.
Është shumë e lehtë të hamë sasi të mëdha shalqiri, sidomos në verë. Sa më i madh porcioni, aq më shumë karbohidrate dhe sheqerna konsumojmë.
Sa kalori ka një filxhan shalqi?
Një filxhan shalqi i prerë në kubikë përmban afërsisht 46 kalori, 12 gramë karbohidrate, 1 gramë fibra, 9 gramë sheqerna natyrale, 1 gramë proteinë, 12 miligramë vitaminë C, 170 miligramë kalium si dhe 0 gramë sheqer të shtuar.
Megjithatë shalqiri nuk është një ushqim që duhet shmangur vetëm sepse përmban sheqer, pasi ky sheqer është natyral. Ajo që ka më shumë rëndësi është sasia, vakti në tërësi dhe ushqimet me të cilat e kombinoni.
“Pamja e përgjithshme është më e rëndësishme: vakti, madhësia e porcionit dhe me çka e kombinoni ushqimin, jo shmangia e një fruti të vetëm”, ka thënë dietologia Vandana Sheth.
