Klinika për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup ka “defekte me rrezikshmëri të lartë” thotë ushtruesi i detyrës drejtor, Rexhep Memedi, i cili detyrën e ka marrë 4 muaj më parë. Mes problemeve që shpalosi, është edhe kuzhina ku përgatitet ushqimi për fëmijët dhe bebet, për të cilën tha se është krejtësisht e amortizuar, me pajisje mbi 20 vjet të vjetra.
“Imagjinoni, në të këtilla hapësira në Klinikën e Fëmijëve me vite përgatiten ushqim për fëmijë. A nuk është kjo me rrezik të lartë?! Unë menjëherë kam vepruar duke ndërmarrë masa, duke përgatitur zgjidhje dhe tani jemi në fazën e zgjidhjes së këtij problemi edhe për hapësirat por edhe sigurimin e tërësishëm të pajisjeve dhe invertarit”, tha Rexhep Memedi – drejtor i Klinikës për Fëmijë.
Përveç kuzhinës, drejtori paraqiti pamje edhe të hapësirave të tjera të Klinikës së Fëmijëve si stacioni i pompave të ujit për të cilat tha se çdo javë u krijon problem dhe ka mungesë uji; ose të ashensorëve, të vjetër mbi 40 vjet, që janë jashtë funksionit, ndërsa pacientët përdorin shkallët. Të gjitha këto Mehmedi siguroi se i ka adresuar dhe janë në fazë të sanimit.
Krejt këtë situatë me të cilën po përballet, ai e paraqiti si kundërpërgjigje për akuzat anonime që ka marrë në rrjetet sociale, se gjatë këtyre muajve sa ai është drejtor, gjoja qenka rritur vdekshmëria e fëmijëve që trajtohen në Klinikë.
Shkrimet anonime në Facebook, Mehmedi i quajti “fushatën kundër klinikës dhe personalisht kundër tij”, të nxitura nga individë brenda klinikës që, sipas tij, kanë interesa personale dhe synim të sëmurë për pushtet duke abuzuar me fatin e fëmijëve.
