Seanca parlamentare në Armeni është shndërruar në një përleshje fizike mes deputetëve të partisë në pushtet dhe opozitës. Incidenti ndodhi gjatë një debati në Kuvend, ku përplasja fillimisht verbale u përshkallëzua në grushte dhe shtyrje mes ligjvënësve.

Gjithçka nisi gjatë fjalimit të deputetit Taron Chakhoyan nga partia në pushtet “Kontrata Civile”, i cili bëri komente ndaj familjarëve të liderit të opozitës, Narek Karapetyan, lidhur me një deklaratë të bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Karapetyan reagoi nga vendi i tij dhe më pas iu afrua foltores, ku situata doli jashtë kontrollit. Deputetët u ngritën nga ulëset dhe filluan të godasin njëri-tjetrin me grushte e shqelma. Përleshja vazhdoi edhe në korridoret e parlamentit, ndërsa sigurimi u përpoq t’i ndante palët.

Gjatë incidentit, nënkryetari i Kuvendit, Vahagn Aleksanyan, hodhi një karrige në drejtim të deputetëve të opozitës. Sipas raportimeve të mediave lokale, deputeti opozitar Andranik Gevorgyan u pa me gjakderdhje nga hunda, ndërsa një deputeti tjetër, Ruben Mkhitaryan, iu grisën rrobat.

Pas incidentit u thirr edhe ambulanca, ndërsa kryetari i Parlamentit, Ruben Rubinyan, ndërpreu seancën dhe kërkoi ndërhyrjen e sigurimit.

Më vonë, Rubinyan fajësoi liderin opozitar Narek Karapetyan për nisjen e përplasjes, duke thënë se ai kishte reaguar në mënyrë të papërshtatshme gjatë fjalimit të deputetit nga pushteti.