Kim Kardashian është përballur me një problem shëndetësor që ka kërkuar ndërhyrje mjekësore, pasi te ajo janë zbuluar disa anomali në ezofag, pas diagnostikimit me ezofagit.
Në episodin e fundit të reality show-t “The Kardashians”, të transmetuar sot, më 29 tetor, ylli televiziv rrëfeu shqetësimin e saj për gjendjen shëndetësore, veçanërisht për shkak të historisë familjare me kancerin.
“Kam vizituar disa mjekë dhe kohët e fundit e kam shumë në mendje këtë çështje”, u shpreh ajo, duke pranuar se situata e prek edhe emocionalisht.
“Nuk ua kam treguar shumë njerëzve, sepse mendoj se është diçka që më prek shumë personalisht dhe vërtet nuk dua të shkoj deri aty. Meqë babai im vdiq nga kanceri i ezofagut, shpresoj vetëm të mund të marr ilaçe dhe që kjo të kalojë”.
Babai i saj, Robert Kardashian, ndërroi jetë në vitin 2003, në moshën 59-vjeçare, si pasojë e kancerit të ezofagut.
Në pamjet paraprake të episodit të ardhshëm, Kim shfaqet në spital, ku shpjegon se mjekët i kanë rekomanduar heqjen e anomalive të zbuluara.
“Mjeku thotë se ezofagu im ka këto anomali dhe se duhet t’i heq. Është e njëjta gjë që kishte edhe babai im”, dëgjohet të thotë ajo. Në një moment tjetër, nëna e saj, Kris Jenner, shfaqet pranë saj duke u përpjekur ta qetësojë.
Nuk është hera e parë që problemet shëndetësore të Kim Kardashian bëhen pjesë e reality show-t. Në një episod të transmetuar në nëntor të vitit 2025, ajo zbuloi se mjekët i kishin diagnostikuar një aneurizëm në tru. Kardashian pretendoi se kjo gjendje ishte shkaktuar nga stresi i fortë që kishte përjetuar gjatë divorcit nga Kanye West.
