Deputeti Mile Cekov i cili së fundmi vendosi të braktisë partinë ZNAM dhe në Kuvend të funksionojë si i pavarur, në intervistë në Alsat tregon arsyet që çuan deri te ky vendim. Cekov thotë se partia ZNAM po vepron tërësisht në kundërshtim me atë që pati premtuar në fushatë zgjedhore. Ndër arsyet është edhe lufta e pamjaftueshme kundër krimit të organizuar veçanërisht pasi siç thotë, ish zv.kryeministri Artan Grubi u kthye në paraburgim shtëpiak.
“Unë para zgjedhjeve isha dhe jam për rritje të pagës minimale dhe paga të denja për punëtorët mirëpo kolegët e ZNAM nuk më mbështetën. Gjithashtu edhe para zgjedhjeve edhe tani jam kundër hapjes së minierave të reja ndërsa kolegët e mbështetën ligjin për lëndë minerale. Para zgjedhjeve por edhe tani kërkoj transparencë në financa, gjegjësisht të publikohen kompanitë të cilat fituan të hollat shtetërore nga kredia hungareze por u hesht kjo. Gjithashtu para zgjedhjeve premtuam luftë të fuqishme kundër krimit dhe korrupsionit, drejtësi jo selektive mirëpo Artan Grubi është në paraburgim shtëpiak”, tha deputeti Mile Cekov./Alsat.mk.
