Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit edhe me një deputet më pak. Deputetja Mimoza Musa përmes një statusi në Facebook u shpreh se nuk e tradhton besimin që e ka marrë nga 107 mijë shqiptarë si deputete e ASH-së në listën e koalicionit VLEN.
“Sot, në një klimë politike të trazuar, dua të jem e qartë me ju: Unë jam deputete e Aleancës për Shqiptarët. Besimin që ma dhatë nuk do ta tradhtoj. Nuk jam këtu për interesa personale, por për t’i shërbyer me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që besoi në këtë mision. Ndryshimi ka nisur dhe ne do ta çojmë përpara”, tha Mimoza Musa.
Po Taravarin nuk e mërziti ky veprim i saj.
-Shkoi Mimoza, a u mërzite?
-Jo aspak. Çdokush e ka bindjen e vet. Ashtu si mendon, ashtu vepron.
Këtë kreu i ASH-së e tha para se të hyjë në Kuvendin e jashtëzakonshëm që e mbajtën në Kumanovë. Këtu u konfirmua se s’janë më pjesë e VLEN-it dhe e Qeverisë. U përjashtuan edhe 8 anëtarë të kryesisë, të cilët, siç tha Taravari, deklarohen kundër ASH-së. U shkarkua edhe kryetari i Kuvendit partiak, Arben Fetai, i cili zgjodhi të qëndrojë në Qeveri, dhe në vend të tij u zgjodh Nazim Taipi. Për Mimoza Musën nuk sollën vendim sepse, siç u shpreh Taravari, nuk ka qenë e definuar mirë në qëndrimin e saj nëse mbetet me ASH-në apo me VLEN-in.
“Nuk e kemi porosinë e qartë. Unë mendoj se duhet t’i jepet hapësirë edhe një herë të bisedohet me deputeten. Pas kësaj, nëse ajo vendos ashtu, i urojmë suksese dhe shëndet”, deklaroi Taravari
E qartë ose jo, koalicioni VLEN kumtoi se i jep përkrahje të plotë qëndrimit të deputetes Musa, e cila sipas tyre, ka dëshmuar integritet të lartë politik dhe institucional në një periudhë të ndjeshme për skenën politike shqiptare në vend.
“Shprehim falënderim publik për znj. Musa dhe i urojmë suksese të mëtejshme në përfaqësimin e denjë të interesave të qytetarëve shqiptarë”, thotë VLEN.
Qëndrimi i deputetes Musa vjen pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmanit, karrigia e të cilit në Kuvend u zu nga Valbona Adili-Emini e Lëvizjes Besa, pjesë e VLEN-it. ASH-ja e Taravarit tash në Kuvend ka tre deputetë.
Vendimi i Taaravarit për ta lëshuar Qeverinë, solli fraksione të reja në partinë tashmë të fraksionuar, pas ndarjes që ndodhi një vit më parë, kur një pjesë mbështetën Ziadin Selën, e një pjesë Arben Taravarin. Si një reprizë, e njëjta gjë ndodhi edhe tani me krahun e Taravarit, ku jo të gjithë pranuan vendimin për të dalë nga Qeveria, andaj mbetën në ekzekutiv. Po mbrëmë Taravari i paralajmëroi Lëvizjes Besa dhe LD-në, se shumë shpejtë anëtarë të partive të tyre do të kalojnë në ASH.
