Edhe këtë të martë, në orën 18:00, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.
Nga aty, ata vijuan të kërkonin dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Nga aty, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas janë ndalur përpara Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre.
Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën, Elbasanin etj.
Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.
Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile, duke kujtuar gjithashtu se projekti është objekt hetimi nga SPAK.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama deklaroi në një konferencë me gazetarë europianë se protesta është nxitur nga një akt dhune i një punonjësi sigurie ndaj një qytetari, për të cilin janë marrë masa të menjëhershme. Ai theksoi se nuk ekziston një projekt i miratuar për t’u anuluar, por vetëm një shprehje interesi dhe një proces konsultimi, duke e cilësuar investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.
Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura./Euronews.
The post Dita e 10-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë appeared first on Alsat.
