Tre avionë me haxhilerë janë kthyer mbrëmë në vend pas përfundimit të ritualeve të Haxhit në Arabinë Saudite.
Sipas informatave që ka siguruar ALSAT, mbrëmë është kthyer i gjithë grupi i Myftinisë së Shkupit. Sipas të dhënave, Myftinia e Shkupit kishte grupin më të madh të haxhilerëve, me gjithsej 533 besimtarë.
Pas saj renditen Myftinia e Tetovës me 438 haxhilerë dhe Myftinia e Gostivarit me 420, ndërsa pjesa tjetër u përket myftinive të tjera në vend. Numri i përgjithshëm i besimtarëve nga Maqedonia e Veriut që këtë vit kryen Haxhin arriti në 2 020 persona, burra dhe gra.
Në këtë numër përfshihen edhe besimtarët që kryen Haxhin si bedel në emër të familjarëve të tyre. Sipas informatave tona nga Bashkësia Fetare Islame, turi i kthimit të haxhilerëve do të përfundojë më 15 qershor, kur pritet të mbërrijë edhe grupi i fundit i pelegrinëve, të cilët ishin nisur më 21 maj nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit. Me kthimin e tyre do të përmbyllet edhe zyrtarisht sezoni i Haxhit për besimtarët nga vendi. Në nivel global, sezoni i Haxhit këtë vit mblodhi rreth 1,7 milionë pelegrinë.
Sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Statistikave të Arabisë Saudite, afro 90 përqind e tyre ishin nga jashtë vendit, duke përfaqësuar 165 kombësi të ndryshme. Gjatë kryerjes së ritualeve, pelegrinët fillimisht kryen tavafin rreth Qabesë, faltores së shenjtë në zemër të Xhamisë së Madhe në Mekë. Më pas ata u drejtuan drejt luginës së Minas, rreth tetë kilometra larg, ku kaluan natën në qytetin e madh të tendave.
Ditën pasuese, besimtarët u ngjitën në Malin Arafat, rreth 20 kilometra në lindje të Mekës, ku qëndruan në lutje dhe adhurim deri në perëndim të diellit. Qëndrimi në Arafat konsiderohet kulmi shpirtëror i Haxhit dhe një nga momentet më të rëndësishme të këtij pelegrinazhi. Për shumicën e myslimanëve, Haxhi është një përvojë unike që realizohet vetëm një herë në jetë dhe konsiderohet një nga aktet më të larta të përkushtimit dhe afërsisë me Zotin. /alsat.mk
The post Tre avionë me haxhilerë kthehen në vend, deri më 15 qershor pritet përfundimi i kthimit të të gjithë pelegrinëve appeared first on Alsat.
