Gazetar: Suad Bajrami
Mbetet në fuqi ndalesa për shfrytëzimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, pas incidentit të ndotjes me fekale, për çka mijëra qytetarë janë paraqitur me simptoma helmimi. Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari Oliver Millanov thotë se obligohen të gjitha institucionet publike, por edhe bizneset që prodhojnë ose shërbejnë ushqim të sigurojnë ujë teknikisht të rregullt. Për këtë, në terren po kryhen kontrolle të shtuara nga shërbimet inspektuese, ndërsa nëse konstatohet se dikush e përdor ujin e ujësjellësit të Gostivarit, do të gjobitet.
“Flas për kuzhinat, shtëpitë spitalore dhe gjithçka që organizohet. Duhet të sigurohet ujë i veçantë që teknikisht është i sigurt në lidhje me përgatitjen e ushqimeve, në lidhje me kafenetë ku ndoshta shërbehet kafe e çaj. Në kuzhina gjithashtu duhet të sigurohet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për spitale apo institucione publike. Gjithkund uji duhet të sigurohet, por jo ky ujë që shfrytëzohet nga ndërmarrja publike komunale e Gostivarit”, deklaroi Oliver Millanov, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë marrë mostra të reja nga shumë vende të sistemit për furnizim me ujë, përfshirë edhe nga institucionet publike, çerdhet, objektet hotelerike, të cilat do t’u nënshtrohen analizave përkatëse.
“Janë marrë mostra nga çezma publike para Komunës së Gostivarit, çezma publike nga lagjja “Cigllana”, çezma nga kuzhina e çerdhes “Kllon Prolet”, çezma nga kuzhina e çerdhes “Cvetovi”, çezma publike nga kisha “Shën Bogorodica”, çezma nga Reparti Kirurgjik në Spitalin “Ferid Muradi”, çezma nga oborri i Xhamisë Kadir dhe çezma nga restoranti. Ujë i papërpunuar është marrë edhe nga rubineti i burimit Vrutok”, shtoi Millanov. /Alsat.mk
The post Do të gjobiten institucionet dhe bizneset qe do ta përdorin ujin e ujësjellësit të Gostivarit appeared first on Alsat.
