Brukseli po përgatit masa të reja që synojnë eliminimin e automjeteve me naftë më të vjetra se 10 vjet dhe atyre pa filtra grimcash (DPF) në BE, përcjell TV21. Përmes kontrolleve më të rrepta teknike, BE-ja kërkon të largojë nga rrugët veturat që ndotin më shumë dhe që, sipas tyre, kontribuojnë në rritjen e aksidenteve, transmeton “Kliks“. Nëse miratohen, këto masa do të detyrojnë qindra mijëra pronarë të veturave me naftë që të instalojnë DPF të rinj ose të heqin dorë nga automjetet e tyre, duke i zhvendosur ato kryesisht në Evropën Lindore dhe në Ballkan.
Në shumë raste, kostoja e zëvendësimit të një filtri DPF mund të shkojë deri në 2.500 euro, duke bërë që pronarët e këtyre veturave të shqyrtojnë mundësinë për t’i shitur në tregjet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit.
Në shumë automjete, veçanërisht ato të standardeve Euro 5 dhe Euro 6, filtrat DPF me kalimin e kohës bllokohen dhe kërkojnë mirëmbajtje ose zëvendësim. Kjo ndodh zakonisht pas 150.000 – 200.000 kilometrash, veçanërisht për veturat që përdoren kryesisht në qytet.
Për këtë arsye, shumë pronarë kanë zgjedhur alternativat më të lira si pastrimi, modifikimi (“shpimi”) ose heqja e plotë e filtrit — një praktikë që do të gjobitet rëndë në të ardhmen sipas rregullave të paralajmëruara nga BE-ja.