Banka Popullore, në përpjekje për të frenuar inflacionin, po e shtrëngon politikën monetare. E rriti normën bazë të interesit për 0,25 pikë përqindje dhe ajo tani është 4,25%. Kjo është sinjal për bankat që edhe ato t’i rrisin interesat. Guvernatori Sllavski siguron se efektet nuk do të ndihen menjëherë, ndërsa vendimi se sa do të rriten interesat e kredive dhe depozitave është në duart e bankave komerciale
“Që nga fillimi i vitit u vërejt kërkesë më e madhe për deviza nga sektori korporativ, gjë që kushtëzoi prani më të madhe të Bankës Popullore në tregun devizor. Që nga fillimi i majit vërehet stabilizim i kërkesës për deviza, ndërsa informacionet më të reja sjellin më shumë siguri për një qetësim të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, pasojat ekonomike nga ngjarjet gjeopolitike janë të pranishme, ndërsa pasiguria rreth ritmit të stabilizimit të plotë të flukseve vazhdon të krijojë rreziqe”, tha Sllaveski.
Ai tha se, edhe pse pritjet e konsumatorëve për rritjen e çmimeve në periudhën e ardhshme janë më të moderuara krahasuar me muajin e kaluar, rreziqet për inflacionin kryesisht janë në drejtim rritës. “Më mirë norma më të larta të interesit, sesa rritje e inflacionit” – theksoi Slavski.
Se paratë do të shtrenjtohen dhe bankat do ta ndjekin sinjalin e Bankës Popullore për rritjen e interesave dhe qetësimin e kërkesës për kredi, ditë më parë e tha edhe profesori universitar Vlladimir Filipovski në emisionin Biznis 21.
“Kjo do të nënkuptojë norma më të larta të interesit, sepse nëse, për shembull, norma referente e bankës qendrore rritet, bankat do ta ndjekin atë, sigurisht jo një për një pikë përqindje, por do t’i ndjekin ato sinjale. Sepse kjo është në fakt sinjali që e dërgon banka qendrore”, tha Filipovski.
Ndërkohë, ky hap i Bankës Popullore vjen pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për të rritur normën referente të interesit për herë të parë pas vitit 2023. Pas debatit publik me ministren e Financave Koçovska për atë nëse dhe kush mund të ndikojë në komisionet bankare, pasi disa banka njoftuan se do t’i rrisin, Sllavski mbetet në qëndrimin se nuk është koha për rritjen e tyre, sepse të ardhurat e bankave kanë qenë të qëndrueshme. Ai njoftoi se po diskutohet një zgjidhje ligjore e mundshme me të cilën disa shërbime bankare do të jenë falas, sipas shembullit të Kroacisë.
