Gazetare: Ajnur Bafqari
Presidenti amerikan, Donald Tramp, tha se nuk planifikon që të zgjasë armëpushimin dyjavor me Iranin. Ai paralajmëroi ngjarje të rëndësishme që mund të ndikojnë ndjeshëm në situatën në Lindjen e Mesme. Në intervistën për mediat amerikane, i pyetur nëse lufta mund të përfundojë përmes një marrëveshjeje apo përmes neutralizimit të aftësive të kundërshtarit, Tramp theksoi se të dyja opsionet mbeten të hapura. Megjithatë, ai nënvizoi se një marrëveshje do të ishte zgjidhja më e dëshirueshme, pasi mund të krijojë mundësi për stabilizim dhe rindërtim në rajon. Ndërkohë nënpresidenti i SHBA-së JD Vance duke iu drejtuar një aktiviteti në Gjeorgji, foli për mbi 20 orë negociata me Iranin. Ai tha se Tramp nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje të vogël. Ai dëshiron të bëjë marrëveshjen e madhe.
“Presidenti Tramp nuk dëshiron një marrëveshje të vogël. Arsyeja pse marrëveshja ende nuk është përfunduar është se presidenti dëshiron vërtet një marrëveshje ku Irani nuk ka armë bërthamore, nuk sponsorizon terrorizmin shtetëror, por gjithashtu populli iranian të mund të lulëzojë, të përparojë dhe të bashkohet me ekonominë botërore. Kjo është marrëveshja që ai po ofron. Ai po thotë: nëse ju angazhoheni që të mos keni armë bërthamore, ne do ta bëjmë Iranin të lulëzojë. Do ta bëjmë ekonomikisht të prosperojë dhe do ta ftojmë popullin iranian në ekonominë botërore në një mënyrë që nuk e kanë përjetuar gjatë gjithë jetës sime”, deklaroi JD Vance, Nënpresident i SHBA-së.
Gjatë negociatave të fundit më 11 dhe 12 prill në Islamabad, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Ndërkaq, Tramp ditë më parë sugjeroi se një rund i ri bisedimesh me Iranin mund të mbahet pas një ose dy ditësh. Një nga çështjet kyç është mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, rrugë ujore ku para se të niste lufta kalonte një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit./Alsat.mk.
The post Donald Trump: Nuk planifikon të zgjasë armëpushimin me Iranin appeared first on Alsat.
