Reforma në legjislacionin e punës dhe harmonizimi i sistemit arsimor me tregun digjital janë çështjet kryesore që u prezantuan nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në Konferencën Ndërkombëtare të Punës që po mbahet në Gjenevë. Këtu Durmishi vuri theksin te roli i Këshillit Ekonomiko-Social, si organ ku kërkohet konsensus për marrëveshjet kolektive në sektorin publik. Sipas paralajmërimeve, prioritetet e ardhshme të dikasterit të ekonomisë dhe punës do të lidhen me zbatimin e masave aktive për punësimin e të rinjve, si dhe me përforcimin e mbrojtjes ligjore të të drejtave të punëtorëve.

“Po ashtu, potencova që kemi program që do të nënshkruajmë me Organizatën Ndërkombëtare të Punës për punë të dinjitetshme, ku do të zgjasë prej vitit 2025 deri në vitin 2030, për t’i përgatitur të gjithë të rinjtë e rinj dhe të gjithë qytetarët që duan të punësohen, për t’iu bërë ballë sfidave që i kanë nga tregu i punës dhe të jenë më konkurrues. Më konkretisht, zhvillimi që ndodh në inteligjencën artificiale dhe që ndodh në tranzicionin në ekonominë e gjelbërt”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë Sllobodan Tredafillov tha se takime të tilla janë të rëndësishme për ta, pasi kjo është mënyra se si duhet të dialogohet.

“Partneriteti trepalësh social, dialogu social midis qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të punëtorëve, për kushte dinjitoze pune dhe për të mundësuar një pagë dinjitoze. Takimi më i lartë që mund të mbahet në botë, po mbahet këtu në Gjenevë. Konferenca Ndërkombëtare e Punës është diçka ku mblidhen qeveritë, punëdhënësit dhe sindikatat nga e gjithë bota për të diskutuar për çështje shumë të rëndësishme për punëtorët, si për punëdhënësit, ashtu edhe për qeverinë”, u shpreh Sllobodan Trendafilov – kryetar i LSM.

Sinkronizimi i hapave mes qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve jo vetëm që garanton paga më të larta dhe stabilitet për punëtorët, por përmes programeve të reja digjitale po krijon një treg pune modern, të sigurt dhe mjaft tërheqës për të mbajtur të rinjtë në vend.