Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, thotë se nëse gjatë muajve maj dhe qershor tregtarët rrisin çmimet, do të merren masa më të rrepta ndaj tyre. Ai shtoi se Inspektorati i Tregut deri në fund të këtij muaji do të kryejë kontrolle të jashtëzakonshme dhe të rregullta.
“Të gjithë tregtarët do të kontrollohen nga inspektorati i tregut dhe në fund të muajit do e sjellin një raport. Në bazë të atij raporti, në qoftë se hasim sjellje devijante të tregtarëve, prodhuesve, apo distributorëve, në qoftë se do të hasim rritje enorme të pajustifikueshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, do të ndërmarrim masa rigoroze”, tha Durmishi.
Biseduam me disa shitës të cilët punojnë me pakicë, por ata thonë se faji nuk është i tyre. Ata thonë se mallrat që vijnë nga jashtë kanë një çmim të caktuar dhe ata detyrohen t’i shesin me vetëm 5 apo 10 denarë fitim, duke pësuar humbje në shumicën e rasteve.
“Çfarë i rrisim ne!? E marrim lirë ta japim lirë, e marrim shtrenjtë do e japim shtrenjtë. Edhe neve na sjellin shtrenjtë, se çfarë është puna nuk e dimë edhe ne. Asgjë s’ka fitim në humbje. Çfarë fitimi, 10 denarë qesja, peshorja t’i han. 10 denarë në humbje jemi. Patjetër të dalësh të punosh nga pak të humbim kohën mos do del diçka po s’ka asgjë.”
“Nuk mund t’i rrisin tregtarët çmimet, tregtarët nuk kanë se si ti risin çmimet. Për shembull domatet gjërat që vijnë nga jashtë, vijnë nga jashtë, s’ka tregtari se si ti rris çmimet. Vetëm ata me shumicë që sheshin i rrisin çmimet. Ata shkojnë me 10 denarë apo 5 denarë fitim, ma shumë nuk shkon.”
“Çdo tregtarë e din se si e blen mallin dhe ashtu e çon çmimin, sot mund ta blejë domaten 50 denarë, nesër mund ta blejë 70 denarë. Ai patjetër të rris çmimin se çmimet luajnë çdo ditë.”
“Çfarë çmime ngritim ne!? Kanë hip atje çmimet edhe 5 denarë shkojmë në fitim, 5 denarë edhe tërë ditën qëndrojmë në këmbë, s’ka asgjë edhe s’ka njerëz s’ka popullatë kjo është.”
Ministri i ekonomisë tha se falë masave të ndërmarra që nga fillimi i vitit, përfshirë kufizimin e marzheve për produktet ushqimore dhe higjienike, ekonomia është më stabile dhe nuk ka rritje të jashtëzakonshme të çmimeve. Ai njoftoi se në listën me marzhe të kufizuara do të përfshihen edhe produkte të reja.