Gazetar: Zekirija Haxhiu
“Autostrada e pa përfunduar, pra dy kilometërshi i parë i autostradës Shkup-Bllacë doli për herë të parë të jetë tragjik për një familje nga Kosova ku tre anëtarë me veturë të tipit Mercedes humbën kontrollin dhe ranë poshtë kësaj gremine me të përfunduar në fund të rrugës. Kjo rrugë edhe në pjesën e epërme edhe në fillim kur kyçemi në autostradë nuk ka asnjë shenjë përmes së cilës nënkuptohet se është e ndaluar hyrja. Dhe kështu vetura pa asnjë informacion, me shpejtësi të lartë ka përfunduar në këtë greminë dhe tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën, ku ka përfunduar në këtë pjesë të rrugës e cila çon për në Bllacë”, raporton Zekirija Haxhiu, gazetar.
Ndonëse infrastruktura është e re, autostrada ende e pa përfunduar nuk ka asnjë sinjalistikë ndriçuese e cila ndalon lëvizjen në këtë zonë. E njëjta thjeshtë përfundon me një sasi të madhe gurësh por në kushte nate, të njëjtat nuk shihen. Automjeti është vërejtur dhe raportuar nga një banor i Bllacës, zyrtar policor me iniciale M.L. Ai bashkë me bashkëfshatarët kishin dalë në kërkim pasi kishin lexuar lajmet në rrjetet sociale.
Një banor i Bllacës tregon se tre pasagjerët kishin qenë të vdekur. Njëra nga viktimat mbante telefon në duar ndërsa pasagjeri që ishte ulur mbrapa kishte përfunduar në bagazhin e veturës.
“Katastrofale, të vdekur. Të vdekur të gjithë. Erdhën njësia policore, ambulanca, zjarrfikësit por ishte vonë. Ata vetëm se kishin ndërruar jetë. Ka ardhur këtu, ka goditur dheun dhe është hedhur tek guri dhe ka fluturuar atje poshtë, s’ka mundur ta mbajë drejtimin dhe si të mbrohet pastaj. Veç se ka përfunduar atje poshtë”,
Pas raportimit të rastit, në vendngjarje dolën ekipet policore dhe shërbimet emergjente. Në orën 23:07, një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore konstatoi vdekjen e tre personave. Në vendin e ngjarjes intervenuan edhe ekipet e Njësisë për Siguri në Komunikacionin Rrugor, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Çairit, si dhe inspektorë nga Sektori për Kërkime pranë të njëjtit stacion. Vetura ishte kërkuar edhe me dron ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e aksidentit, ndërsa pritet të përcaktohen shkaqet e sakta që çuan në këtë aksident me pasojë fatale./Alsat.mk.
The post Dy kilometërshi i parë i autostradës Shkup – Bllacë, fatal për tre shtetas nga Kosova appeared first on Alsat.
