Gazetar: Avni Tahiri

“Ja, s’ka ujë. Sa kohë nuk keni ujë? Dy muaj. Po si ia bëni? Marrim ujë neper çezmat tjera në Saraj, në Shkup, ku të mundemi e atje, varet çdokush se si mundët”, tha një banor i fshatit Arnaqi

Të moshuarin Said Raifi, banorë i fshatit Arnaqi, e takuam duke pritur me shpresë që uji do të vije në çezmat e xhamisë së fshatit. Me problemin e mungesës së ujit përballën edhe banorët tjerë të këtij fshati.

“Mbi 700 banorë të fshatrave Arnaqi e epërme dhe e poshtme tani e disa muaj përballën me mungesë të ujit. Banorët kërkojnë zgjidhje nga ana e institucioneve ndërsa për shkak të mungesës së ujit detyrohen që të gjejnë zgjidhje duke bartur ujë në këtë të nxehtë me bidonë” , tha Avni Tahiri, gazetar.

”Ne jemi tek uji e ujë nuk kemi. I gjithë Shkupi furnizohet me këtë ujë e deri në Veles shkon ky ujë e ne nuk kemi ujë. Kjo është e turpshme”, tha një banorë i fshatit Arnaqi.

Sipas kryetarit të bashkësisë lokale të fshatit Arnaqi, me mungesë të ujit përballën tash e sa vite por edhe pse kanë kërkuar zgjidhje deri tani nuk është ndërmarrë asnjë iniciative nga institucionet.

”I gjithë fshati nuk ka ujë. Në pjesën e poshtme uji vjen ndonjëherë por në pjesën e sipërme të fshatit as pikë uji nuk kanë as për të pijë e as për tjera nevoja. I lusim institucionet që të marrin masa dhe ta rregullojnë problemin tonë si jo atëherë do të dalim edhe në protestë pasi në emër të fshatit dola këtu pasi për jetesë pika e parë është uji”, tha Zemri Rustemi, Kryetar i bashkësisë lokale të fshatit Arnaqi.

Sipas kryetarit të Komunës së Sarajit, mungesa e ujit në Arnaqi ndikohet edhe nga keqpërdorimi i ujit të pijshëm nga një pjesë e qytetarëve. Megjithatë, thekson se problemi është edhe tek gjendjen e rrjetit të ujësjellësit. Sipas tij, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë në fshatrat e Sarajit nevojiten investime dhe zgjidhje afatgjata në rrjetin e ujësjellësit.

“Kemi probleme serioze edhe me furnizim të ujit, me gypat aktual por edhe probleme teknike tek gypi që është vendosur për gjashtë vendbanime, duke i përfshirë fshatin Rashçën, Kopanicën, Bojanën, Llaskarcën dhe Bukoviqin. Pra janë probleme teknike ku ushtruesi i punimeve duhet t’i korrigjoj dokumentacionin dhe që ky rrjet të lëshohet, me lëshimin e këtij rrjeti edhe vendbanimet tjera do të stabilizohen. Këtu është edhe keqpërdorimi i ujit të pijshëm në këtë periudhe. Javën e ardhshme do kemi kontrolle në terren dhe asnjëri nuk do arsyetohet nga ata persona që e keqpërdorin ujin për pije”, tha Muhamet Elmazi, Kryetar i Komunës së Sarajit.

Për problemin me mungesën e ujit në fshatin Arnaqi, Alsat kishte raportuar edhe verën e kaluar. Megjithatë, pavarësisht ankesave të vazhdueshme të banorëve, deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme. Banorët paralajmëruan se nëse institucionet nuk ndërmarrin hapa konkretë në periudhën e ardhshme, do të organizojnë protestë për të kërkuar furnizim të rregullt me ujë të pijshëm./Alsat.mk.

The post Dy muaj pa ujë, banorët e fshatit Arnaqi paralajmërojnë protesta appeared first on Alsat.