Dibër – Me iniciativë personale dhe mbështetje nga kompania M Cash, dy punonjëse të përkushtuara, Drenushja dhe Nuliferi, kanë realizuar një projekt simbolik por me ndikim të drejtpërdrejtë për komunitetin lokal: vendosjen e dy karrigeve dhe një tavoline në një nga pikat më të frekuentuara të liqenit të qytetit të Dibrës.

Ky kënd i vogël pushimi është tashmë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, të cilët mund të ndalen për të pushuar, për të biseduar apo për të shijuar pamjen relaksuese që ofron liqeni.

“Erdhi si një ide e thjeshtë – t’i japim qytetit një gjë të vogël, por të dobishme. Shumë njerëz kalojnë këtu, por s’kishin ku të uleshin. Tani kanë një vend ku mund të çlodhen,” u shprehën Drenushja dhe Nuliferi për Monitor MK, duke theksuar rëndësinë e angazhimit qytetar dhe kontributit individual për komunitetin.

Ky projekt i vogël, por domethënës, është realizuar falë mbështetjes logjistike dhe morale nga M Cash, një kompani që prej kohësh mbështet nismat sociale dhe promovon përgjegjësinë shoqërore.

“Jemi krenarë për punonjëset tona që jo vetëm që kontribuojnë profesionalisht në punë, por edhe tregojnë përkushtim për komunitetin. Ky është shembull frymëzues,” – thanë përfaqësues të kompanisë.

Pozicionimi strategjik i tavolinës dhe karrigeve në një nga këndet më të qeta pranë liqenit e kthen këtë hapësirë në një pikë ndalese të re për qytetarët, që tashmë kanë një arsye më shumë për të kaluar kohë në natyrë.

📽 Ndiqni videon e plotë për të parë realizimin e projektit dhe momentet e vendosjes së këtij këndi të ri relaksues në liqenin e Dibrës.