Gazetar: Mihajllo Donev
Dyshimet për sabotim në TEC Manastir, për të cilat njoftoi EMV, u përsëritën edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski. Pa zbuluar më shumë detaje për publikun, Mickoski tha se rasti po hetohet, por siguroi se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
“Ekziston dyshim i bazuar për atë që e thatë, se mund të ketë ndodhur sabotim në orët e hershme të mëngjesit dy ditë më parë. MPB-ja po e heton rastin, por kjo është në kompetencën e MPB-së. Ajo që u takon punonjësve të SH.A. EMV, më parë ELEM-it, është ta rikthejnë sa më shpejt në funksion dhe ta bëjnë operativ Blokun 2. Por ajo që është e rëndësishme është se furnizim të rregullt me energji elektrike do të kenë të gjithë konsumatorët”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Nga policia konfirmojnë se ka hetim, por nuk zbulojnë se çfarë ka treguar hetimi deri tani dhe çfarë po ndodh saktësisht në TEC Manastir.
“Rasti ndodhet në fazën e hetimit, është kryer inspektim dhe po punohet për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga MPB-ja.
Pas fikjes së Bllokut 2 para dy ditësh, EMV paralajmëroi për sabotim të mundshëm, pasi në afërsi u gjetën elementë druri të djegur, që sipas tyre ngre dyshime se dikush ka hyrë dhe qëllimisht ka ndezur zjarr për të shkaktuar fikjen e bllokut. Megjithatë, edhe pse TEC Manastir punon për një periudhë me një bllok, kjo nuk është hera e parë që fiket, e njëjta gjë ndodhi në tetor të vitit të kaluar, si dhe gjatë verës së kaluar. Ndërkohë, ndërsa policia heton sabotim të mundshëm, punonjësit e SH.A. EMV po ndërmarrin masa për rikthimin e bllokut në funksion të plotë, ndërsa prodhimi i energjisë në TEC Manastir që nga dje zhvillohet me kapacitet të reduktuar. /Alsat.mk
The post Dyshime për sabotim në TEC Manastiri/ Nuk do të ketë ndërprerje të rrymës appeared first on Alsat.
