Edhe socialdemokratët kërkojnë garanci nga Bullgaria se në të ardhmen nuk do ta bllokojnë Maqedoninë në rrugën eurointegruese. Kryetari i partisë, Venko Filipçe nga Prilepi porositi se Bullgaria duhet qartë të tregojë se nuk do të vendosë kërkesa të reja joparimore ndaj Maqedonisë.

“Bullgarët duhet të hedhin një hap të sinqertë kur kanë përballë një fqinj që ka aspirata të bëhet vend anëtar i BE-së. Të sillen në mënyrë më europiane. Nëse ne kemi frikë se nesër mund të ketë ndonjë bllokadë të re mbi baza të paarsyeshme – për shkak të gjuhës, identitetit e të tjera – atëherë le të tregojnë sjellje europiane dhe të thonë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Le të thonë: – Ne duam që fqinjët tanë të jenë pjesë e Europës, do t’ju japim mbështetje. Mos u shqetësoni, nuk do të ketë kërkesa të tilla. Kjo është politikë e vërtetë e fqinjësisë së mirë. Jo vetëm të ushtrosh presion ndaj dikujt më të vogël e më të dobët”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Ai i bëri thirrje Bullgarisë të tregojë sjellje europiane, duke theksuar se falë politikave të LSDM-së, gjuha maqedonase është njohur zyrtarisht në BE, ndërsa marrëveshja me Frontex është dokumenti i parë i nënshkruar në gjuhën maqedonase pa kushte dhe pa fusnota.

“Po, është e vërtetë që Filipçe erdhi në qëndrimin e VMRO-DPMNE-së se çështja nuk është vetëm te ndryshimi i Kushtetutës. Por njëkohësisht, nuk mund ta dimë se ku qëndrojmë me një njeri të tillë – kjo është shprehje e jostabilitetit që përsëritet në LSDM. Së dyti, nuk e dimë as arsyen e këtij sjelljeje të tij dhe nëse kjo deklaratë e tij do të evoluojë si ajo… Sa të marr frymë, damarin tim maqedonas askush nuk do ta prekë… pas së cilës do të vijë një tjetër tradhti e madhe ndaj interesave kombëtare maqedonase, ngjashëm me atë që ndodhi me mentorin e tij me të cilin është çdo ditë”, u shpreh Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe të gjithë 17 eurodeputetët bullgarë nënshkruan letër përmes së cilës e dënojnë Tomas Vajcin, eurodeputetin austriak nga Partia e Gjelbër, përgjegjës për përgatitjen e Raportit për Maqedoninë, në të cilin për herë të parë përmendet gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas. Ata theksuan, siç transmeton BGNES, se Qeveria e Maqedonisë kishte ushtruar ndikim të tepruar mbi punën e raportuesit Vajc gjatë negociatave dhe se ai kishte injoruar “dhunën ndaj bullgarëve në vend”.


“Bullgaria prej kohësh e akuzon fqinjin perëndimor për fshehje të historisë së tyre të përbashkët dhe mohimin e rrënjëve bullgare të gjuhës dhe identitetit të Maqedonisë së Veriut”, thkruhet në “Politico”

Sipas publikimit, kryeministri bullgar Rosen Zhelazkov e ka thirrur kryetaren e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, në prag të votimit, për të kërkuar shtyrjen e tij. Në fund, raporti nuk u votua në Komitetin për Punë të Jashtme të PE-së.

Qeveria bullgare dhe eurodeputetët bullgarë e akuzuan Vajc për fshehje të takimeve lobuese me përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë dhe për mbështetje të kërkesave të Maqedonisë, duke u dhënë atyre informacione konfidenciale dhe duke injoruar qëndrimin bullgar.