Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi deklaron se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit. Ai thotë se ura është stabile, megjithatë shton se po presin vlerësimin që po bëhet në mënyrë shkencore. Durmishi nuk ka ofruar detaje të mëtejshme për hapat që do të ndërmerren pas publikimit të raportit, në rast se do të jetë pozitiv. Ekspertë të komunikacionit thonë se nuk ka arsye që Ura e Ibrit të jetë e mbyllur për qarkullim. Sipas tyre, ura ka kohë që nuk i është nënshtruar ngarkesave të rënda të trafikut, për çka nuk presin rezultat negativ nga testimet që janë bërë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi deklaron se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit. Ai për KosovaPress, thotë se ura është stabile, megjithatë shton se po presin vlerësimin që po bëhet në mënyrë shkencore. Durmishi nuk ka ofruar detaje të mëtejshme për hapat që do të ndërmerren pas publikimit të raportit, në rast se do të jetë pozitiv. Ekspertë të komunikacionit thonë se nuk ka arsye që Ura e Ibrit të jetë e mbyllur për qarkullim. Sipas tyre, ura ka kohë që nuk i është nënshtruar ngarkesave të rënda të trafikut, për çka nuk presin rezultat negativ nga testimet që janë bërë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi thotë se raporti pritet të publikohet sot gjatë ditës.

“Sot gjatë ditës e dorëzon draft-raportit…unë po pres që të dal raporti, në momentin që del raporti do ta publikojmë….Në qoftë se raporti është negativ atëherë në bazë të raportit ne i bëjmë vlerësimet se si duhet të intervenojmë që ta bëjmë urën stabile, por siç e kam thënë edhe atë ditë që kam qenë në vizitë te ura, në bazë të asaj që unë kam parë edhe si inxhinier duke qenë me profesion inxhinier, aty shihet që ura është shumë stabile. Mirëpo, po e presim raportin, raporti është me një ekspertizë që bëhet vlerësimi në bazë shkencore dhe në momentin që e kemi raportin do e bëjmë publik”, deklaron Durmishi.

I pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit në rast se raporti do të jetë pozitiv, Durmishi nuk ka komentuar një gjë të tillë.

“Kur hapet ura unë nuk e di, por unë mund ta prezantoj raportin sepse detyra ime ka qenë që ta implementojmë një kontratë, e cila ka të bëjë me përcaktimin e stabilitetit të urës mbi lumin Ibër. Dhe këtë po e bëjmë, në momentin që e kemi raportin ne e publikojmë. Mandej se kur hapet ura është çështje tjetër që do të informoheni me kohë dhe për këtë”, shton zëvendësministri Durmishi.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti nuk pret që të ketë probleme në aspektin teknik dhe profesional të urës.

“Ka mundësi që të lëshohet vetëm për automjetet e udhëtarëve, mirëpo praktikisht nuk është në rregull. Ne e pamë edhe një testim live, një testim real ku hypën kamionët mbi urën, kaluan dhe ishin të ngarkuar, ku pesha e përgjithshme e kamionëve arrin deri në 40 ton, mbi 40 ton nuk lejohet në asnjë rrugë të Kosovës. Nuk e di a ka qenë 40-tonëshi aty apo jo, u shiheshin kamionët që praktikisht e binë një gjendje të tillë prej 40 tonëshit. Mendoj që është në rregull, nëse dyshojmë diçka, atëherë mund t’i përdorim vetëm automjetet e udhëtarëve, e në qoftë se dyshojmë edhe te automjetet e udhëtarëve i heqim barrierat dhe e lëmë deri në një kohë kur të testohet, mirëpo ura le të hiqet, barrierat e urës le të hiqen sepse kanë karakter politik”, deklaron ai.

Sipas tij, testimet do të duhej të ishin bërë para se të merret vendimi për hapjen e Urës së Ibrit.

“Ka mundësi që dëshirojnë të fitojnë kohë për arsye politike që e kanë mbrapa. Dhe unë besoj që kjo është arsye komplet. Në qoftë se dalin me një rezultat të kundërt që ura nuk e përballon, atëherë unë ua kisha dhënë një këshillë tjetër, kisha thënë heqni barrierat dhe po lëvizim në këmbë, në këmbë e përballon se e kemi testuar që sa herë edhe nuk ka vend tani për arsye të tjera që të themi ‘jo nuk po e përballon ‘. Edhe kësisoj ose duhet me dal ekspertë të huaj që e bëjnë testimin e urës sepse vetëm me një dikush mund të mos e besojë që është ashtu sepse trumbetohet që po hapet ura e pastaj për arsye teknike po mbyllet e po hapet për shkaqe që shtetet e QUINT-it nuk po e dëshirojnë këtë”, shton ai.

As inxhinieri i trafikut, Visar Baxhuku nuk pret që raporti të jetë negativ sa i përket stabilitetit të Urës së Ibrit.

“Është kohë e gjatë që nuk është përdorur dhe nuk i është nënshtruar ngarkesave të rënda të trafikut, gjë që nuk pres ndonjë rezultat negativ. Por unë më shumë isha lidhur me pjesën e qarkullimit, nëse e shohim hartën dhe zhvillimin e qytetit të Mitrovicës, është arterie kryesore që lidh dy anët e qytetit, në aspektin e qarkullimit. Kështu që në aspektin e trafikut ajo ka qenë arteria kryesore e qarkullimit të njerëzve, të mallrave që realisht nuk do të duhej mbyllur. Tani është koha e fundit që duhet të hapet, asgjë negative nuk ka në pjesën e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave… Pa hyrë në detaje tek pjesa e shpenzimeve që krijohen tek përdoruesit, pjesa e ambientit, lirimi i gazrave, kolonat, gjitha janë negative pastaj se për çfarë e ka rolin. Edhe në dy anët e urës janë të rregulluara dy kryqëzime rrethore që mundësojnë shkëmbime shumë të mira”, deklaron ai.

Sipas tij, çdo urë do të jetë e hapur dhe t’iu shërbejë njerëzve pa marrë parasysh diskutimeve politike.

Ditëve të fundit janë bërë matje e testime me mjete të rënda, po ashtu janë ngjyrosur edhe muret e urës mbi lumin Ibër.

Përndryshe, sot mediat kanë raportuar se Bashkimi Evropian planifikon që “statusin” e Urës së Ibrit në Mitrovicë ta vendosë në agjendën e takimi të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.