Barcelona ka fituar El Clasicon ndaj Real Madridit me rezultat të pastër 2-0 dhe është shpallur zyrtarisht kampione e La Ligës për sezonin 2025/26. Katalunasit dominuan takimin nga minuta e parë dhe vulosën triumfin që i solli titullin e 29-të në histori të klubit.

Skuadra e Barcelonës kaloi në epërsi që në minutën e nëntë me një supergol të Marcus Rashford nga gjuajtja e lirë, duke ndezur festën në stadium. Vetëm dhjetë minuta më vonë, vendasit realizuan një aksion spektakolar, të finalizuar nga Ferran Torres për rezultatin 2-0.

Barcelona administroi me qetësi avantazhin deri në fund të ndeshjes, ndërsa krijoi edhe raste të tjera për ta thelluar rezultatin. Real Madridi nuk arriti të reagojë përballë dominimit të katalunasve, që kontrolluan ritmin e lojës në çdo moment.

Pas 35 xhirove, Barcelona kryeson tabelën me 91 pikë, plot 14 më shumë se Real Madridi në vendin e dytë, duke konfirmuar një sezon të jashtëzakonshëm në futbollin spanjoll.