Milani ka pësuar një humbje të rëndë në “San Siro”, pasi u mposht 2-3 nga Atalanta në një ndeshje që mund të komplikojë seriozisht garën për Ligën e Kampionëve. Bergamaskët e nisën furishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e shtatë me golin e Ederson.
Kuqezinjtë nuk arritën të reagojnë, ndërsa Atalanta goditi sërish me Zappacostan për 0-2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Mysafirët dominuan edhe në startin e pjesës së dytë, kur Raspadori realizoi për 0-3 dhe heshti tifozët vendas.
Milani provoi rikthimin në minutat e fundit. Pavlovic ngushtoi shifrat në 1-3 në minutën e 87-të, ndërsa Nkunku realizoi nga penalltia në kohën shtesë për rezultatin përfundimtar 2-3. Megjithatë, reagimi erdhi shumë vonë për skuadrën kuqezi.
Me këtë humbje, Milani rrezikon seriozisht një vend në Champions League. Juventusi ngjitet në pozitën e tretë me 68 pikë, ndërsa Milani mbetet i katërti me 67 pikë, po aq sa Roma që ndodhet menjëherë pas tij. Në javën e ardhshme, kuqezinjtë do të përballen në transfertë me Genoan, ndërsa Atalanta pret Bolognën.
