Rritja marramendëse e aksioneve të Oracle e ka çuar bashkëthemeluesin e kompanisë, Larry Ellison, në krye të listës së njerëzve më të pasur në botë, duke lënë pas Elon Musk.
Me një rritje prej mbi 39.6 për qind të aksioneve të Oracle deri mëngjesin e së mërkurës, pas një raporti fitimprurës të tremujorit dhe projeksionesh pozitive për biznesin cloud, pasuria neto e Ellison u rrit me rreth 111 miliardë dollarë vetëm në dy ditët e fundit.
Ellison zotëron rreth 1.16 miliardë aksione të Oracle, ose afërsisht 41 për qind të aksioneve totale në qarkullim, çka e bën atë përfituesin kryesor nga rritja historike e vlerës së kompanisë.
Sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg, pasuria e Ellison nisi ditën e martë në nivelin e 294 miliardë dollarëve, ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes ajo u rrit me afro 70 miliardë dollarë, duke ia kaluar Elon Musk, i cili kishte një pasuri të vlerësuar në 384 miliardë dollarë përpara kësaj lëvizjeje dramatike të tregut.
Rritja e fuqishme e Oracle pasqyron një besim të ripërtërirë të investitorëve në potencialin e kompanisë për të garuar me gjigantët e tjerë të teknologjisë në fushën e cloud-it dhe AI-t.
Ndërsa Musk përjetoi një ngritje të ngjashme në fund të vitit 2024 falë performancës së Tesla-s dhe SpaceX, zhvillimet e fundit e kanë kthyer vëmendjen te Ellison, i cili rikthehet fuqishëm në skenën e elitës financiare globale.
