Gazetare: Ajnur Bafqari
Vazhdojnë bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë. Pas takimit me bashkëkryetarët e VLEN-it Izet Mexhiti e Bilall Kasami, kryeministri Hristijan Mickoski, në konsultime me partnerin tjetër qeveritar, partinë ZNAM. Megjithatë, ai mbetet i rezervuar sa u përket detajeve të ndryshimeve kadrovike. Sipas Mickoskit, procesi i rikonstruimit në nivelin e parë qeveritar pritet të përmbyllet deri në fund të javës së ardhshme, ndërsa lista me emrat e rinj të ministrave do t’i dorëzohet Kuvendit më së voni deri më 1 korrik.
“Në interes të procesit nuk do të flisja shumë rreth zgjidhjeve konkrete kadrovike, po shihen të opcione të ndryshme, në atmosferë të mirë dhe miqësore ishte dje takimi, shihen opcione për ndryshim resorësh, kështu që mendoj se shumë shpejt do ta mbyllim këtë pjesë të parë të procesit të kushtimisht thënë eshalonit të parë….Të themi deri në fund të javës së ardhshme, deri në fund të qershorit të gjithë këtë ta formalizojmë dhe më së voni deri më 1 korrik lista të jetë në parlament para deputetëve “, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në intervistën në Alsat, tha se do të ketë më shumë takime, ndërsa vendimet për ministrat që shkojnë e vijnë do të merren bashkërisht. Sipas Mexhiti është mëse e sigurte se VLEN nuk do ta propozojë Fatmir Limanin për ministër.
“ Ka qenë kuadër i propozuar nga VLEN-i dhe meqë VLEN-i është një dhe Limani nuk është pjesë e VLEN-it, atë që jam i sigurt nuk do të jetë propozim i VLEN-it, dhe mendoj që logjikisht nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit”, tha
Izet Mexhiti, Bashkëkryetar i VLEN-it.
-A ja keni thënë këtë sot Mickoskit?
– Kemi bashkëbiseduar për shumë gjëra edhe për këtë resor.
-Nuk doni të ndani shumë detaje?
– Mendoj se nëse ndajmë detaje, mund të ndryshojnë gjërat.
Ndërkohë Fatmir Limani thotë se deri në këto momente nuk ka biseduar me kryeministrin për fatin e tij. Megjithatë tha se nuk dëshiron të bëhet ngarkesë për mandatarin.
“Më besoni nuk kam biseduar për këtë temë dhe nuk do të flas për këtë temë, sepse e dimë se edhe në federatën e futbollit ka selektorë që bëjnë ekipin e vet, edhe këtu kemi mandatar që bën ekipin e tij, nuk duhet në këto pozicione të jemi ngarkesë as për kryeministrin, as për mandatarin as për askënd. Jemi këtu të luajmë rolin e lojtarëve që e bëjnë punën në të mirën e qytetarëve”, theksoi Fatmir Limani, Ministër i Politikës Sociale.
Kryeministri paralajmëroi se ndryshimet nuk do të përfundojnë vetëm në nivel ministrash dhe funksionarësh të lartë. Ai nënvizoi se deri në fund të shtatorit priten lëvizje kadrovike edhe në nivelet e tjera në strukturat lokale. Paralelisht, sipas tij, do të zhvillohet edhe procesi i përditësimit të anëtarësisë partiake dhe pranimit të anëtarëve të rinj./Alsat.mk.
The post Emrat e ministrave të rinj do të dihen më së voni deri më 1 korrik appeared first on Alsat.
