Gazetar: Angell Dimovski

Ende është e paqartë nëse qytetarët do të vazhdojnë të blejnë dizel më të lirë për tre denarë dhe benzinë për dy denarë. Autoritetet janë në bisedime me përfaqësuesit përgjegjës të OKTA-s për mundësinë që zbritja të zgjatet edhe për një muaj. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se për momentin nuk ka vendim përfundimtar.

“Po negociojmë, sot ka pasur bisedime, ministrja e Energjetikës ka zhvilluar takime me përgjegjësit e OKTA-s. Ndoshta gjatë kohës që ka zgjatur takimi kam marrë edhe informacione kthimi, por telefonat nuk i kam me vete që të mund t’ju jap një përgjigje”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Sa i përket TVSH-së, kryeministri tha se nuk po shqyrtohet mundësia e uljes. Ai shtoi se akcizat do të mbeten të pandryshuara.

“Në këtë moment nuk po mendojmë për uljen e TVSH-së për naftën. Po negociojmë me OKTA-n për vazhdimin e zbritjes, ndërsa akcizat mbeten të njëjta. Duhet të shihet tani në gjysmën e dytë të prillit cili është çmimi mesatar si për benzinën pa plumb ashtu edhe për naftën, dhe në bazë të kësaj do të merret vendimi i qeverisë në lidhje me akcizat. Nafta tashmë ishte mbi 1200 dollarë për ton, që do të thotë se 4 denarë sigurisht do të mbeten, ndërsa benzina pa plumb ishte nën 1200 dollarë për ton dhe kishte ulje prej dy denarësh, por pres që tani edhe ajo të kalojë mbi 1200, ku edhe aty do të kemi ulje të akcizave prej 4 denarësh për litër”, theksoi Hristijan Mickoski – kryeministër.

Zbritja e vendosur nga OKTA vlen deri nesër. Me të, çmimi i naftës është më i ulët për tre denarë, ndërsa i benzinës për dy denarë. Zbritja vlen për të gjitha kompanitë që furnizohen me karburant nga OKTA./Alsat.mk.

The post Ende nuk ka vendim nëse zbritja e OKTA-s për kompanitë e derivateve do të vazhdojë appeared first on Alsat.